image

Manray Hsu (Tapipei, Tajvan) është kuraror i edicionit të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale’’ e cila do të mbahet më 19 Gusht deri më 23 Shtator në Prizren, Kosovë.

E ardhmja e kufijve?

Tema “E ardhmja e kufijve”, është zgjedhur për edicionin e parë, për të adresuar me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, dhe për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive.

Vetëm tre dekada më parë, kur globalizimi aktual vazhdimisht shembi muret e rregullimit dhe i bëri të gjithë kufijtë poroz, përgjigja për këtë pyetje ka qenë qartësisht dhe definitivisht se e ardhmja është e një bote pa kufij. Sot, bota duket se po shkon në drejtim të kundërt dhe kufijtë po kthehen. Çështjet e refugjatëve, punëtorëve migrantë, korporatave transnacionale, katastrofave mjedisore, identiteteve nacionale dhe etnike, dhe kështu me radhë, sjellin në vëmendje kufijtë e formave të ndryshme, që mbahen në drejtësi, të drejta njerëzore dhe jo-njerëzore, demokraci dhe politikë. E ardhmja e kufijve ka ardhur në qendër të vëmendjes të së sotmes tonë.

Për aq sa është i lidhur arti bashkëkohor me këtë proces, është përhapja e bienaleve dhe përhapja e tyre në kënde të ndryshme, shpesh rajone margjinale të botës, duke e bërë veten pjesë të një platforme të madhe në të cilën mund të shihet jo vetëm arti nga periferia, por çështjet e shqetësimeve globale dhe lokale mund të ndahen, diskutohen dhe debatohen. Në këto rrethana, është krijuar Autostrada Bienale. Dhe në thelb të kohës sonë, edicioni i parë do të përqendrohet në probleme të ndryshme kufitare.

Ekspozita, së bashku me ngjarjet e saj diskursive dhe pedagogjike, do të shikojë: Si funksionojnë shtetet kombëtare dhe sistemi i tyre për të politizuar (ose depolitizuar) identitetet kulturore, për të territorizuar zonat natyrore, kulturore dhe ekonomike nën konkurrencën kapitaliste dhe gjenerimin e fitimit? Si përballen rezistencat lokale dhe rajonale me strategjitë gjeopolitike të sistemit shtetëror? Si përdor lëvizja qytetare mjete të ndryshme, artistike dhe të tjera, për të trajtuar problemet e kufirit, për të ndërtuar identitete lokale apo koalicion ndërkufitar?Në modernitet, qyteti është zhvilluar përgjatë vijës ndarëse kulturë-natyrë, duke vendosur kufij mes zonave urbane dhe rurale, mes mjediseve njerëzore dhe jo-njerëzore. Qyteti është i larmishëm me kufij gjinorë, kufij etnikë, kufij midis të rinjve dhe të moshuarve, midis të huajve dhe vendasve, midis specieve njerëzore dhe të tjera. Ndërsa shumica e këtyre kufijve në qytet janë të padukshëm, të mbivendosur dhe të ndërlidhur, funksionimi i tyre përbën thelbin e jetës bashkëkohore urbane.

Artistë, urbanistë, aktivistë dhe edukatorë janë të ftuar të reflektojnë mbi këta kufij, veçanërisht mbi ata në qytetin e Prizrenit, reflektime të cilat do të rezultojnë në ndërhyrje specifike për vendin, vepra publike dhe punëtori për dizajn urban dhe aktivizëm.

Edicioni i parë i Autostrada Biennale do të përdorë hapësirat e mrekullueshme historike të Prizrenit në përputhje me temat dhe format e zhvilluara në veprat e artit. Stacioni i autobusëve dhe hapesira perreth do të fokusohen në çështjet e lëvizshmërisë, migrimit, kufijve kombëtarë dhe etnikë.

Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor. Përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, do të gjenden vepra lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë. Përderisa pozicionet e ndryshme të artistëve vështirë se mund të kufizohen në vendosjen e thjeshtë hapësinore në qytet, ato janë aty poashtu për të ndihmuar në ripërcaktimin e topografisë së Prizrenit nëpërmjet ndërveprimit me vizitorët.

Manray HSU