






Gjatë dhjetë viteve të fundit, Open Group ka krijuar galeri të përkohshme thjesht duke vizatuar vija, plane arkitekturore dhe skica. Muret, kufijtë dhe katet janë ndërtuar prej drurësh, shenjash rrugore, shkumësi, boje të bardhë dhe litari. Ato vija joformale u kanë dhënë trajtë ngrehinave të përkohshme, situatave artistike, djerrinave institucionale ose thjesht kanë shërbyar si ftesa për situata të ndryshme të pakontrolluara. Në Prizren, Open Group ka vizatuar deri më tash hartën më tragjike: tri plane arkitekturore 1:1 të muzeve të shkatërruar nga viti 2022 si rrjedhojë e invazionit rus të Ukrainës. Për shkak të agresionit janë dëmtuar 1,189 hapësira kulturore, ndërsa 446 të tilla janë shkatërruar. Open Group fton vizitorët të hyjnë brenda ndërtesave të rrënuara të Muzeut Kombëtar të Letërsisë (1972–2022), në rajonin e Kharkivit; të Muzeut Historik dhe të Historisë Lokale të Ivankivit (1981–2022) në rajonin e Kijevit; të Muzeut Komunal të Historisë Lokale të Okhtyrkas (1995–2022) në rajonin Sumy. Kjo do të shërbejë si ecje kujtimesh nëpër tri ndërtesa që gremisen ndaj njëra-tjetrës, një rikrijim poetik i një funksionaliteti jetëshkurtër institucional, ku përkohen hyrjet dhe daljet, muret dhe ajri, si dhe e kaluara dhe e tashmja. Vizituesi lëviz lirshëm përbrenda kësaj sipërfaqeje të madhe, ku planet janë të kombinuara me penj të zgjatur që të kujtojnë fillimet e ndërtimit, një vizitë forenzike, ose gërmimet arkeologjike në rrënojat e trashëgimisë së shkatërruar. Ajo është po ashtu një hartë fantazmë në trajtë të një kuje; një vajtim për pamëshirën e luftës ku arkivat kulturorë vuajnë bashkë me njerëzit.
Open Group është krijuar në Lviv në vitin 2021 dhe anëtarët e saj jetojnë sot në Wrocław, Lviv dhe Nju Jork.
Teksti nga Joanna Warsza