Edicioni i 5-të i Autostrada Biennale “Unfolding Currents: The Pulse of Time” (“Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës”), kuruar nga Erzen Shkololli, nga 5 korriku deri më 5 tetor 2025
“Unfolding Currents: The Pulse of Time” (“Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës”) vë theksin te ndërthurja dinamike mes artistëve, veprave të artit, audiencës dhe kontekstit të pasur historik të Prizrenit. Si qytet me shtresa të shumta arkitekturore dhe kulturore, Prizreni shërben si visar i gjallë i trashëgimisë së Kosovës.
Për përvjetorin e saj të dhjetë, Autostrada Biennale do të ndjekë një qasje të përshtatur ndaj mjedisit, duke ftuar artistë të brezave dhe vendndodhjeve të ndryshme që të angazhohen thelbësisht me disa nga monumentet kulturore të qytetit. Përmes ripërfytyrimit të veprave ekzistuese dhe komisionimit të projekteve të reja, ky edicion do të nxitë dialog të gjallë në të tashmen duke reflektuar në mënyre kritike për të kaluarën.
“Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” mishëron frymën e këtij dialogu. Fraza “Rrymat që Shpalosen” sjell ndër mend evoluimin e vazhdueshëm të narrativave historike dhe artistike, ndërsa “Pulsi i Kohës” ngërthen natyrën ritmike dhe të pareshtur të këtyre shndërrimeve. Titulli nxjerr në pah angazhimin aktiv te bienales me çastin shumështresësh në të cilin jetojmë.
I shtrirë përgjatë Lumit që i jep emrin, Prizreni përbëhet nga shumë të shkuara dhe të tashme. I formuar para shumë mijëvjeçarësh me mbarimin e periudhës akullnajore, Prizreni, i cili sot është qyteti i dytë më i madh në Kosovë, gjendet në rrëzë të Vargmaleve të Sharrit. Përreth kalasë së saj janë zbuluar fragmente nga Epoka e Bronzit. Kishat bizantine qëndrojnë përkrah xhamive dhe shtëpive të shquara të periudhës osmane. Shumë shembuj të infrastrukturës jugosllave mbesin ende në përdorim, ndërsa pasojat e luftës së fundit në Kosovë spikatin thuajse në çdo cep.
Ekspozitat shpalosen në disa monumente historike, duke përfshirë ndër të tjera Sahatkullën, Shtëpinë e Shani Efendiut dhe Hamamin e Gazi Mehmet Pashës. Shumë projekte që do të shfaqen tashmë kanë filluar të marrin trajtë. Kjo shpallje fton lexuesit dhe vizituesit e ardhshëm t’i bashkohen një rrugëtimi përgjatë hapësirave kyçe ku mund të njihen me këto projekte që janë në zhvillim e sipër.
Sahat Kulla dhe Hamami i Shemsedin Ahmet Beut janë monumente kyçe të Prizrenit. I ndërtuar në vitin 1498, hamami ka pushuar së funksionuari nga mesi i shek. të 19-të kur një pjesë e strukturë së saj është zëvendësuar nga Sahatkulla. Ndonëse ishte fillimisht e drunjtë, kjo kullë u rindërtua me gurë nga Eshref Pasha Rrotulli. Sahati dhe kambana e saj u hoqën në vitin 1912 dhe mbesin të humbura. E lënë pas dore për shumë vite, përpjekjet restauruese të viteve 1970 shndërruan hamamin në Muzen Arkeologjik të Prizrenit, ku shfaqeshin artefakte nga periudha neolitike deri në atë osmane.
Për bienalen e sivjetme, vepra Lighthouse (“Fari”, 1996) nga Vadim Fishkin transformon kullën në një sinjal të gjallë. Dritat pulsuese, të cilat janë të lidhurat me rrahjet e zemrës së artistit në kohë reale kudo që gjendet, transmetohet përmes teknologjisë mobile. Kjo vepër ka udhëtuar nëpër kontekste të ndryshme dhe tash shndërron monumentin në një fener që sinjalizon shtegun përgjatë rrugëtimin të bienales.
Disa minuta me këmbë nga sheshi qendror i Prizrenit gjendet Shtëpia e Shani Efendiut, ku vazhdohet ky eksplorim i praktikës së trupëzimit. E ndërtuar si rezidencë në vitet 1930, kjo shtëpi është shfrytëzuar më vonë për grumbullime politike dhe shoqërore gjatë periudhës jugosllave.
Brenda saj, pikturat e skulpturat e stileve të ndryshme nga nga artisti prizrenas Simon Shiroka thellojnë lidhjen e ekspozitës me praktikat artizanale dhe mitologjitë vendëse. Duke qenë e zhytur në historinë e zejeve të qytetit, vepra e Shirokës bashkon qasjet tradicionale në mjeshtërinë e argjendarisë dhe artin bashkëkohor përmes krijimit të skenave të ndërlikuara që kanë për bazë ëndrrat, elementet komplekse të filigraneve, simbologjinë e Kosovës dhe të tjera.
Ndërkohë, vizatimi i madh i Robert Gabris-it me titullin The Garden of Catastophy (“Kopshti i katastrofës”, 2024) mësyn, sipas tij, jo “të estetizojë konceptin e vdekjes”, por të bashkëpunojë me të metën, me dështimin dhe me katastrofën e afërt. Linjat e ndërpleksura të Gabris-it që përshkruajnë qenie të ndërlidhura janë “pjesë thelbësore e ritregimit të shtypjes dhe dhimbjes historike, duke mishëruar idenë e ekzistencës së pastajme”.
Ndërsa ndërhyrjet nga qeramika të Anita Muçollit, të cilat u referohen përrallave, rrëfimeve familjare dhe kujtimeve fëmijërore nga Kosova, përforcojnë më tej këtë atmosferë të pazakontë. Trajtat e saj, me kaltërina të errëta e të lëmuara, mbushin hapësirën dhe sjellin ndërmend përshkrimet e zhanrit horror të së përbindshmes, duke i kujtuar sojit njerëzor se nuk janë banorët e vetëm të kësaj hapësire.
Aty pari gjendet edhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës. I ndërtuar në vitet 1570, arkitektonika e tij shquhet me plot njëzet kupola dhe është një ndër hamamet më të mëdha në tërë Ballkanin. Ky monument është meremetuar pjesërisht në vitet 1970, por mandej është braktisur. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit kanë rifilluar projektet për meremetimin e tij, gjë që ka lejuar shfrytëzimin e pjesshëm të ndërtesës për qëllime edukative dhe kulturore. Në vitin 2024 është përmbyllur faza e parë e meremetimit dhe është mundësuar përdorimi i seksioneve të rëndësishme të ndërtesës. Mu brenda kësaj strukture të rigjallëruar do të zë vend vepra e Doruntina Kastratit. Punimet e saj, të cilat shpesh marrin trajta skulpturore, infrastrukturore dhe filmike, hedhin dritë mbi trupat e fragmentuar, kushtet e punës dhe aspektet e ndryshme të jetës së pasigurt. Me fillimin e këtij kapitulli të ri për hamamin, Kastrati nis një dialog të rëndësishëm artistik brenda hapësirës.
Disa hapa më tej, Shtëpia e Familjes Dorambari, e cila hapet për publikun për herë të parë, ofron një sfond intim shtëpiak me zbukurime të periudhës osmane që shoqërojnë veprat e artit. Këtu, interieret e ngrohta nga druri i sjellin vizitorët në afërsi të ngushtë me një varg veprash që stimulojnë disa shqisa. Beiti (2011)—që do të thotë “shtëpia ime” në arabisht—nga Laurent Mareschal është instalacion me pllakëza mozaiku të përbëra prej erëzash aromatike që janë thelbësore në traditat kulinarike palestineze dhe të Lindjes së Mesme. Këto elemente erëmira zbehen me kalimin e kohës, duke cytur kujtesën në mënyra që shprehen me vështirësi, por edhe duke ua kujtuar vizitorëve shkatërrimin e shumë praktikave kulturore në Lindjen e Mesme.
Në afërsi të këtyre aromave afektive degjohet një trokitje. Prapa një dere, vepra e Nika Špan Who is there? | Who’s there? (“Kush është aty”, 2010) i kërkon shikuesit të bëhet dëgjues—por edhe pjesëmarrës, në qoftë se zgjedh t’u përgjigjet pyetjeve thelbësore të veprës. Nëpër këtë shtëpi qarkullon edhe vepra Edin Zenunit, të cilat janë “piktura të formatit të vogël që të kujtojnë koreografitë gjestuale”. Këto punime serike “me korniza të vetëprodhuara dhe me pamje të brishtë” krijojnë një “partiturë të paracaktuar, të cilën sytë e shikuesit e rikrijojnë meqë çdo kompozim ofron një lloj shpjegimi për atë që vjen më pas”.
Ky eksplorim vazhdon brenda Shtëpisë me grumbuj gjësendesh të vogla nga David Fesl. Bashkëvendosja intime dhe befasuese e elementeve të përditshme u reziston interpretimeve të thjeshta, përkundrazi, “në vend që të mbështesë domethëniet e gjësendeve, [Fesl] i heq ose u jep kahje tjetër. […] Ndërthurja e gjetjeve krijon një formë të re të familjes ose të farefisnisë”.
Hangarët e Autostradës janë ndalesa e radhës në shtegun e bienales, në një zonë që dikur ishte në periferi të qytetit ndërsa sot është Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren. Vendi ka një histori të ndërlikuar ushtarake që fillon qysh para qindra vjetësh. Në fillim të shekullit të 20-të, ky vend u përdor nga ushtarët e Perandorisë Osmane si kamp, ndërsa më vonë strehonte personelin ushtarak jugosllav. Nga fundi i viteve 1990, me mbarimin e Luftës së Kosovës, ai u bë bazë për Bundeswehr-in gjerman deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, kur gradualisht filloi të çmilitarizohej. Sot, si qendër për inovacion dhe biznes në rritje e sipër, dy nga hangarët shërbejnë si vatra të programit vjetor të Autostradës, që përfshin ekspozita, ngjarje dhe rezidenca.
Për “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës”, në këto struktura do të zënë vend projektet sikur fusha e gjerë me shishe xhami nga Tamara Grčić me titullin Lichtgrün, grün, feuille-morte (2004). Vepra shtrihet në hapësirë, duke lëvizur me valë të gjelbra dhe duke ndryshuar sipas dritës së ditës ndërkohë që artistja reflekton mbi prodhimin e industrializuar dhe rrjedhat e konsumit. Materialet qarkullojnë brenda kufijve dhe përtej tyre, ndërsa gjuha dhe kuptimet ndryshojnë së bashku me kontekstet në zhvillim. Vepra e Nathan Coley-t bazohet në një grafit që ka hasur në Jerusalem: I Don’t Have Another Land (“Nuk Kam Vend Tjetër”, 2022) është titulli i saj. Duke qenë i vetëdijshëm për natyrën e ndërlikuar të hapësirave që zënë punimet e tij, Coley interesohet për fuqinë e gjuhës në mendjet e lexuesve, me gjithë vlerat dhe besimet që vënë në punë për t’i interpretuar fjalët që i nxjerr në pah.
Ndërkaq, vendi ku qëndrojnë pikturat e Brilant Milazimit është një nëntokë më e errët; ato japin hapësirë për përsiatje mbi kujtesën, traumën, shpresën dhe lirinë. Punimet e Milazimit, i cili vepron në Prishtinë, përmbajnë zgjatime dhëmbore në trajta tentakulash dhe krijesa surreale. Simbologjitë e Milazimit u referohen në mënyrë të vagullt tensioneve që fshihen prapa përvojave të përditshme.
Gjatë muajve në vazhdim, bienalja po ashtu do të bashkëpunojë me artistë sikur Blerta Hashani, Armend Nimani, Stephanie Rizaj, Lois Weinberger dhe shumë të tjerë.
Një program shoqërues publik që përqendrohet te konceptet e vendit dhe të përvojës së përbashkët do zhvillohet gjatë gjithë bienales. Vepra e Tao G. Vrhovec Sambolec-it që mban titullin Tuning In – the neighborhood (2019) është një ngjarje zanore që fton muzikantët, banorët e Rrugës “Marin Barleti” dhe të tërë Prizrenit te Shkolla e Muzikës “Lorenc Antoni” t’i përshtaten notës së vetme “a”, si dhe njëri-tjetirt. Ky ritual i të dëgjuarit, i sinkronizimit dhe i të përformuarit së bashku sfidon konceptet mbi hapësirën publike dhe angazhon qytetin me veprat e ekspozitës.
Përmes aktivizimeve të kufizuara të veprave sikur ajo e Sambolec-it, banorët, si dhe njerëzit që vijnë nga më larg, ftohen të përjetojnë pyetjet artistike dhe ecuritë krijuese në kohë reale e jo përmes dokumentimit. Kjo ka të bëjë me këmbënguljen e edicionit të tashëm për prani. Frika e të mos qenit i pranishëm ose e pranishme shpesh qëndron prapa nevojës për dokumentim.
Si kurator i edicionit të 5-të të Autostrada Biennale “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” ndihem i nderuar të udhëheq këtë edicion. Si kurator nga Kosova e kuptoj thellësisht maturinë dhe brishtësinë e praktikës artistike këtu.
Natyra e përkohshme e veprave artistike në “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” do të thotë që shumë aspekte të pyetjeve dhe propozimeve që shtrojnë, përkundër gjallërisë së tyre, do të zbehen. Pavarësisht nga kjo, këto projekte janë të ndërtuara për të lënë mbresa afatgjata edhe në kujtesën tonë, edhe në kuadrin e qytetit. Trashëgimia që kanë lënë pas edicionet e kaluara përmes veprave të Open Group, Neda Saeedi-t dhe Alban Mujës theksojnë mënyrën se si këto kontribute artistike vazhdojnë të evoluojnë dhe të kumbojnë.
Historia e Prizrenit, e cila është e shënuar nga kujtesa, shlyerja dhe trauma, i jep trajtë qasjes sonë dhe pasqyron paepurinë e kulturës kosovare. Ky edicion synon ta nderojë këtë trashëgimi dhe ta zgjerojë atë më tej duke eksploruar mënyra të reja të ndërveprimit me objektet e trashëgimisë kulturore dhe të ruajtjes së tyre. Arkivi i Autostradës—i cili pasurohet paralelisht me këtë edicion të bienales—shërben si depo e rëndësishme për botimet e artistëve, materialet e bienales dhe këndvështrimet në zhvillim e sipër. Shpresa ime është “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” do të ushqejë dialogun domethënës dhe reflektimet e artistëve e të audiencës, si tani ashtu edhe në të ardhmen.
–
¹ Robert Gabris, “The Garden Of Catastrophy”, 2024. Online: https://robertgabris.com/the-garden-of-catastrophy.html.
² Ibid.
³ Vanessa Joan Müller on the work of Edin Zenun in Unknown Familiars, eds.Philippe Batka, Vanessa Joan Müller, Vienna: Leopold Museum, 2024.
⁴ Ibid.
⁵ Excerpt from a text by the artist and Zuzana Blochová in I will watch with you, David Fesl, Esther Kläs, Prague: Cursor Gallery, 2024.