Çka nëse një rrugëtim…

është një ekspozitë për të papërfunduarën. Mund të jetë një rrugë, një hartë elektrifikimi, një shtëpi, një fushë me lule, një tregim, një marrëdhënie ose një shtet. Është ekspozitë që paplotësinë e merr si ftesë për t’u përgjigjur, për t’u lidhur dhe për t’u rritur.

Çka nëse një rrugëtim…

është ekspozitë për dy skajet e rrugës që takohen ndërmjet mikpritësit e të ftuarit, ndërmjet të mërguarës e vendores, ndërmjet infrastrukturës dhe intimitetit.

Çka nëse një rrugëtim…

është poashtu ekspozitë për artin si formë e rikuperimit nga kurthet e përditshmërisë. Të merr me vete e të shpie në një rrugëtim, duke filluar nga qendra e Prishtinës, e përgjatë rrjedhës së Lumbardhit në Prizren, për të përfunduar në një bar arti në Pejë.

Puna në bienale gjatë pandemisë na ka bërë të kuptojmë se arti sot është mbi të gjitha një formë e rimëkëmbjes, një urë e gjithanshme ndërmjet nevojave të asaj që mbetet brenda dhe asaj që ndodhet jashtë. Përkundër kufijve të mbyllur, brengave të shëndetit publik, testimeve të rregullta dhe mbylljeve të herëpashershme, ekspozita, që zhvillohet kryesisht në hapësirën publike, është gjithashtu një test i rezistencës dhe qëndrueshmërisë.

“Përderisa rrugëtojmë, shpresojmë”, thotë Valbona Zherka, një artiste, puna e së cilës ka qenë shumë shpesh e margjinalizuar në të kaluarën. Grumbulli i saj i endur i rrugëve të mbivendosura na ofroi një hartë orientimi të përbërë nga rrjedhat e lumenjve, rrugët e arratisjes, shtigjet e migrimit, parregullsitë pozitive, kthesat në formë u, mënyrat e papritura të nisjes dhe arritjes.

Edicioni i 3-të i Autostrada Biennale është ftesë për një udhëtim të papërfunduar, ku arti dhe mbijetesa formojnë çantën e emergjencës në rrugëtimin drejt së tashmes, brenda dhe jashtë Kosovës për në Berlin, Stamboll, Varshavë dhe prapa. Ose diku ndërmjet.