Kurator

Autostrada Biennale në Prizren njofton me kënaqësi se Erzen Shkololli është përzgjedhur kurator i edicionit të 5-të, i cili do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor 2025.

Autostrada Biennale u themelua në vitin 2014 me misionin për të përdorur artin bashkëkohor si një mjet për të fuquizuar komunitetin dhe për të nxitur kreativitetin me vizionin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Me këtë rast, bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, deklaruan: “E mirëpresim emërimin e Erzen Shkolollit kurator të edicionit të 5-të të Autostrada Biennale. Ekspertiza e gjerë e Shkolollit dhe bashkëpunimi i tij me institucione vendore e ndërkombëtare dhe artistë të shumtë nga rajoni dhe bota i përshtatet në mënyrë të përkryer karakterit të Bienales. Erzeni bëhet kuratori i parë kosovar i bienales dhe bashkëpunimi ynë me të synon të përmbushë njërin prej qëllimeve tona për shndërrimin e artit në një forcë, që sjell ndryshime pozitive dhe mirëqenie.”

Erzen Shkololli (1976) është artist dhe kurator. Aktualisht, ai është kurator i përgjithshëm i galerisë Cukarna në Ljubljanë. Shkololli ka udhëhequr suksesshëm disa institucione të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës (2011–2015). Nën udhëheqjen e tij, të dy institucionet kanë kaluar nëpër transformime të rëndësishme. Krahas roleve të tij në institucione, Shkololli ka shërbyer si komisioner i pavijonit inaugurues të Kosovës në Bienalen e Venecias (2013) dhe ka kuruar ekspozita ndërkombëtare, duke përfshirë Edi Hila: Piktori i transformimit (2018), bashkëpunimi ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë; Ne jetojmë mbi një yll (2016), edicioni i dytë i Trienales Hannah Ryggen, i ekspozuar në Ørland dhe Nordenfjeldske Kunstindustrimuseum, Trondheim; Bota nuk do të dëgjojë (2007) në Punëtorinë e Artit Lazareti, Dubrovnik; Historia filloi të luante me jetën time (2007) në Digital Art Lab (DAL), Holon, Izrael; dhe Rishfaqja (2004) në Muzeun e Kosovës, Prishtinë. Shkololli shërbeu si këshilltar kuratorial i documenta 14. Ai u nderua me bursën DAAD Artists-in-Berlin (2008/2009) dhe Premio Michetti nga Fondazione Michetti (2001). Në vitin 2013 bashkëthemeloi Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë. Veprat artistike të Shkolollit janë ekspozuar në Stedelijk Museum në Amsterdam, Centre Pompidou në Paris, Tate Modern në Londër dhe MUMOK në Vjenë.

“Jam i nderuar me këtë emërim prestigjioz. Si kosovari i parë i ftuar për të kuruar Autostrada Biennale-n në Prizren, ndjej një respekt të thellë dhe i gëzohem mundësisë së bashkëpunimit me një nga platformat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Kosovë dhe në rajon. Për mua, kjo është një sfidë dhe një përgjegjësi e madhe, të cilën po e pranoj me entuziazëm dhe ambicie. Mezi pres të bashkëpunoj ngushtë me ekipin e jashtëzakonshëm të biennales, për të sjellë artistë në Kosovë dhe për t’i zbatuar projektet e tyre. Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për themeluesit e bienales Leutrim Fishekqiun, Vatra Abrashin dhe Barış Karamuçon, për këtë mundësi të veçantë,” tha Shkololli.

Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale ka dy funksione – organizimin e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor që mbahet çdo dy vjet, që nga viti 2017, dhe Autostradën Hangar, hapësirën për edukim, krijim dhe ekspozim në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman (tani, Parku i Inovacionit dhe Trajnimit). Me këtë të fundit, ne kemi zgjeruar platformën tonë, duke e parë procesin e krijimit të artit si formë të qëndrueshme të të mësuarit dhe shkëmbimit, që u përgjigjet nevojave të komuniteteve artistike. Autostrada Biennale gëzon mbështetjen e një game të gjerë institucionesh, artistësh e artdashësish. Kjo platformë ka zhvilluar partneritete të suksesshme me organizata dhe institucione të ndryshme, duke përfshirë Fondacionin Allianz, Ministrinë e Kulturës në Kosovë, Komunën e Prizrenit, Komunën e Prishtinës, Fondacionin për Iniciativa Artistike, Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ITP Prizren, e shumë të tjerë.

Kuratorët e mëparshëm të Autostrada Biennale-s:
2017: Manray Hsu
2019: Giacinto Di Pietrantonio
2021 & 2023: Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu

Foto nga: Atdhe Mulla

Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)