E ardhmja e kufijve
Edicioni i parë i Bienales për temë pati “E ardhmja e kufijve”, për t’i adresuar me guxim nocionet e kufijve të dukshëm e të padukshëm dhe për ta përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive. Vetëm tri dekada më parë, kur globalizimi i tashëm vazhdimisht shembte muret dhe të gjithë kufijtë i bëri porozë, përgjigja ishte e qartë dhe përfundimtare se e ardhmja është e një bote pa kufij. Sot, bota duket se po shkon në drejtim të kundërt dhe kufijtë po rikthehen. Çështjet e refugjatëve, të punëtorëve emigrantë, korporatave transnacionale, katastrofave mjedisore, çështjet e identiteteve nacionale dhe etnike e kështu me radhë, sjellin vëmendje në kufijtë e formave të ndryshme që mbartin drejtësi, të drejta njerëzore dhe jo njerëzore, demokraci dhe politikë. E ardhmja e kufijve ka ardhur në qendër të vëmendjes së të sotmes sonë. Për aq sa arti bashkëkohor është i lidhur me këtë proces, përhapja e bienaleve në kënde të ndryshme, shpesh në rajone të margjinalizuara të botës, i bëjnë pjesë të një platforme të madhe, në të cilën mund të shihet jo vetëm arti nga kjo periferi, por edhe të theksohen çështje të shqetësimeve globale dhe lokale, e të cilat mund të ndahen, të diskutohen dhe të debatohen. Në këto rrethana është krijuar Autostrada Bienale. Dhe në qenësinë e kohës sonë, edicioni i parë u përqendrua në probleme të ndryshme kufitare. Ekspozita, bashkë me ngjarjet e saj diskursive dhe pedagogjike, ka vlerësuar: Si funksionojnë shtetet kombëtare dhe sistemi i tyre për t’i politizuar ose jo identitetet kulturore, për t’i kufizuar/shënjuar zonat natyrore, kulturore dhe ekonomike nën konkurrencën kapitaliste dhe gjenerimin e fitimit? Si përballen rezistencat lokale dhe rajonale me strategjitë gjeopolitike të sistemit shtetëror? Si përdor lëvizja qytetare mjete të ndryshme, artistike dhe të tjera, për të trajtuar problemet e kufirit, për të ndërtuar identitete lokale apo koalicion ndërkufitar?
Në modernitet, qyteti është zhvilluar përgjatë vijës ndarëse kulturë-natyrë, duke vendosur kufij mes zonave urbane dhe rurale, mes mjediseve njerëzore dhe jonjerëzore. Qyteti është i larmishëm me kufij gjinorë, kufij etnikë, kufij midis të rinjve dhe të moshuarve, midis të huajve dhe vendasve, midis specieve njerëzore dhe të tjera. Ndërsa shumica e këtyre kufijve në qytet janë të padukshëm, të mbivendosur dhe të ndërlidhur, funksionimi i tyre përbën thelbin e jetës bashkëkohore urbane. Artistë, urbanistë, aktivistë dhe edukatorë u ftuan të reflektojnë mbi këta kufij, veçanërisht mbi ata në qytetin e Prizrenit, reflektime të cilat rezultuan në ndërhyrje specifike për vendin, vepra publike dhe punëtori për dizajn urban dhe aktivizëm. Edicioni i parë i Autostradës Biennale i përdori hapësirat e mrekullueshme historike të Prizrenit në përputhje me temat dhe format e zhvilluara në veprat e artit. Stacioni i autobusëve dhe hapësira përreth u fokusuan në çështjet e lëvizshmërisë, migrimit dhe të kufijve kombëtarë dhe etnikë. Veprat qenë të shpërndara në qendër të qytetit e që kishin të bënin me jetën, historinë dhe diversitetin kulturor të vetë qytetit. Përgjatë lumit Lumbardhi, në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, qenë veprat që kishin lidhje me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë. Përderisa pozicionet e ndryshme të artistëve vështirë se mund të kufizoheshin në vendosjen e thjeshtë hapësinore në qytet, ato po ashtu ishin aty për të ndihmuar në ripërcaktimin e topografisë së Prizrenit nëpërmjet ndërveprimit me vizitorë.
Manray HSU