Autostrada Biennale u themelua në vitin 2014 nga Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço si institucioni i parë i artit bashkëkohor në Prizren, Kosovë. Që në fillim, u konceptua si një urë — që lidh njerëzit, vendet dhe idetë përmes gjuhës së artit bashkëkohor. Në thelb të saj qëndron bindja se arti mund të hapë rrugë për dialog, të frymëzojë këndvështrime të reja dhe të afrojë komunitetet me njëri-tjetrin.
Sot, Autostrada Biennale vepron në dy rrugë të ndërlidhura:
Autostrada Biennale
Ekspozita jonë ndërkombëtare e artit bashkëkohor, që mbahet çdo dy vjet që nga viti 2017, fton artistë, kuratorë dhe mendimtarë nga mbarë bota të angazhohen me historinë dhe realitetin unik të Prizrenit. Çdo edicion nxit dialogun midis komuniteteve lokale dhe praktikave globale, duke eksploruar se si arti u flet sfidave dhe aspiratave të përbashkëta. Edicioni i 5-të, Unfolding Currents: The Pulse of Time (2025), i kuruar nga Erzen Shkololli, e vazhdon këtë rrugëtim — duke ofruar projekte që lidhen thellësisht si me vendin ashtu edhe me njerëzit.
Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor
Që nga viti 2021, Autostrada Hangar është bërë shtëpia e përhershme e veprimtarisë sonë — një hapësirë e hapur për edukim, prodhim dhe ekspozim, e vendosur brenda ish-bazës ushtarake gjermane të KFOR-it, sot e njohur si Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) Prizren.
Autostrada Hangar, e zhvilluar nga Autostrada Biennale, është shndërruar në një vend ku arti dhe komuniteti takohen.
Hapësirat tona përfshijnë:
– Punëtori për përpunim të metaliy, drurit, tekstilit,
– Hapësira për qëndrime rezidenciale për artistë,
– Depo profesionale për ruajtjen e veprave të artit bashkëkohor,
– Kuzhinën vegjetariane për vakte të përbashkëta dhe programe publike,
– Bibliotekë dhe shop me botime dhe materiale referimi,
– Hapësira shumëfunksionale për performanca, biseda, programe publike dhe ekspozita.
Autostrada Hangar është e hapur për publikun çdo ditë, duke ofruar jo vetëm një vend ku arti mund të përjetohet, por edhe një hapësirë për shkëmbim, mësim dhe përvoja të përbashkëta.
Së bashku, Autostrada Biennale dhe Autostrada Hangar mishërojnë vizionin tonë për një platformë ku arti jo vetëm krijohet ose ekspozohet, por jetohet — si pjesë e një dialogu të vazhdueshëm mes njerëzve, vendit dhe kohës.