Autostrada Biennale dhe Friedrich-Ebert-Stiftung zyra në Kosovë organizuan konferencën ndërkombëtare dy ditore “Revolucioni jemi ne”

Autostrada Biennale dhe Friedrich-Ebert-Stiftung zyra në Kosovë organizuan konferencën ndërkombëtare dy ditore “Revolucioni jemi ne” në kuadër të edicionit të dytë të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor.

Konferenca e organizuar më 21 dhe 22 korrik, mblodhi në Prizren shumë artistë, kurator dhe profesionist të fushave të ndryshme, që adresuan çështje sociale, politike dhe kulturore.

Në ditën e dytë dhe përmbyllëse të konferencës diskutimet u zhvilluan në dy panele.

Në panelin e parë me temë "Lëvizjet sociale dhe artistike në Ballkan dhe më gjerë - ndikimi i tyre në shoqëri" diskutuan: Nemanja Cvianovič, Vladan Jeremic, Tomasso Pincio dhe Milan Zivkovic, moderuar nga Hajrulla Çeku.

Temë bosht e diskutimeve ishte Ballkani, që për faktin se është një regjion me shumë probleme mund të shndërrohet në muzë dhe frymëzim të pashterrshëm për artistët.

Duke folur për periudhën e viteve të '90-ta, u tha se atëbotë Ballkani po përjetonte revolucionin e vet, kur zhvillimet politike dhe sociale, u shoqëruan me aktivizëm të lartë artistik.

Duke folur për kohën e tanishme, u tha se “të gjitha vendet në Ballkan artin e shohin si një medium shtesë në rezistencën e tyre.

Ndërsa u vlerësua se Kosova është vendi më i përshtatshëm në Ballkan për të bërë art bashkëkohor dhe vendi i duhur për një biennale te artit bashkekohor.

"Inovacioni si (R)evolucion" ishte tema e panelit të dytë, me folës: Frank Hantke, Giacinto Di Pietrantonio dhe Bujar Ejupi, moderuar nga Besa Luzha.

Në këtë diskutim u theksua rëndësia e pakontestueshme e shkollës si institucion në të cilin ndërtohet vendi. Mes rekomandimeve kyçe të dala nga ky panel ishte se fëmijëve dhe të rinjëve/rejave duhet t’u flitet më shumë për artin dhe kulturën, duke i inkurajuar që të profilizohen në lëminë që e duan, për të qenë profesionistë të dalluar dhe ndryshimtarët e së ardhmes .

Bienalja ndërkombëtare e artit bashkëkohor Autostrada Beinnale, do të jetë e hapur deri më 21 shtator 2019.

Artikuj të tjerë
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)