Ishte një kënaqësi e veçantë të mirëprisnim Ditën e 10-të të Dizajnit Italian në Autostrada Hangar në Prizren.
Pasditja mblodhi institucione, dizajnerë, arkitektë, aktorë kulturorë, studentë dhe të ftuar për një program të pasur dialogu dhe shkëmbimi rreth temës së këtij viti: Ri-dizajni. Rigjenerimi i hapësirave, objekteve, ideve dhe marrëdhënieve.
Ngjarja u hap me fjalë përshëndetëse nga Chiara Castaldo, Zëvendës Ambasadore e Italisë në Kosovë, Leutrim Fishekqiu dhe Vatra Abrashi, drejtorë bashkëthemelues të Autostrada Biennale, si dhe Nora Arapi Krasniqi, Zëvendës Ministre e Kulturës dhe Turizmit, të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit kulturor, mendimit kreativ dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në botën e sotme.
Një moment qendror i programit ishte prezantimi nga Gaetano Adolfo Maria di Tondo, President i Shoqatës Archivio Storico Olivetti, i cili reflektoi mbi trashëgiminë e Olivetti-t dhe rolin e dizajnit si mjet për progres shoqëror, inovacion dhe rigjenerimin e hapësirave, objekteve, ideve dhe marrëdhënieve njerëzore.
Biseda u pasurua më tej nga kontributi i Flaka Xerxa Beqiri, Nën-dekane e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, e ndjekur nga një diskutim i hapur dhe pyetje-përgjigje me publikun.
Programi vazhdoi me një vizitë në ekspozitën Olivetti al femminile, e ndjekur nga catering dhe networking, duke krijuar hapësirë për takime dhe shkëmbime të mëtejshme.
Për ne, organizimi i Ditës së Dizajnit Italian në Autostrada Hangar ishte domethënës jo vetëm si një ngjarje, por si një urë lidhëse mes Kosovës dhe Italisë përmes ideve, njohurive dhe vlerave të përbashkëta. Ai rikonfirmoi rëndësinë e hapësirave ku dialogu, të nxënit dhe kreativiteti mund të ndodhin së bashku.
Faleminderit të gjithë partnerëve, mysafirëve dhe secilit që iu bashkua këtij aktiviteti.
Foto: Erza Bata – Media Team i Autostrada Biennale