





















Sot në ditën ndërkombëtare të muzeut, kujtojmë ekspozitën ndëkombëtare të artit bashkëkohor në Muzeun Arkeologjik të Regjionit të Prizrenit.
Autostrada Biennale në edicionin e saj të dytë ka përzgjedhur Muzeun Arkeologjik si hapësirë ekspozuese për art bashkëkohor.
Gjatë programit dy mujor janë realizuar aktivitete të shumta edukativo-kulturore me grupmosha të ndryshme.
Autostrada Biennale e falenderon Qendrën Regjionale për Trashëgimi Kulturore dhe Ministrinë e Kulturës për bashkëpunimin e ngushtë
.
Edicioni i dytë i Autostrada Biennale është kuruar nga Giacinto Di Pietrantonio.
Muzeu Arkeologjik është pjesë e hamamit, i ndërtuar më 1498. Themeluesi i këtij hamami supozohet të jetë Shemsudin Ahmed beu. Në mungesë të burimeve të shkruara, nuk dihet se deri kur është përdorur si hamam por në mesin e shek. XIX hamami nuk e ka kryer këtë funksion, kur mbi hapësirën e ngrohtë është ndërtuar Kulla e Sahatit nga Eshref Pashë Rrotulli. Gjatë hulumtimeve arkeologjike më 2003 janë konstatuar mbetjet e hapësirës së ftohtë të hamamit mbi të cilën është ndërtuar objekti i banimit, pra në shek. XIX hamami ishte pjesërisht i rrënuar. Objekti ishte lënë pas dore dhe shfrytëzohej nga banorët përreth si depo, deri më 1972 kur filluan punët restauruese dhe konservuese. Më 1975 bëhet hapja solemne e objektit, ku ai shndërrohet në Muze. Muzeu trajton materialin arkeologjik nga lokalitete arkeologjike nga regjioni I Prizrenit. Muzeu Arkeologjik ka vlerë të jashtëzakonshme, si një ndërtesë të veçantë me dy tipologji, si dhe me eksponate me vlera historike dhe shkencore.