Autostrada Biennale në Prizren, Kosovë, njofton emërimin e Lucia Pietroiusti si kuratore të edicionit të saj të gjashtë, i cili do të zhvillohet nga korriku deri në shtator 2027.
Autostrada Biennale u themelua në vitin 2014 nga Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, si përgjigje ndaj nevojës për hapësira ku arti bashkëkohor mund të sjellë njerëzit së bashku për të menduar, mësuar dhe shkëmbyer ide. E konceptuar si një urë mes njerëzve, vendeve dhe ideve, ajo zhvillon një angazhim afatgjatë në qytetin e Prizrenit dhe përtej tij, duke kultivuar lidhje të qëndrueshme mes artistëve, komuniteteve dhe institucioneve kulturore. Edicioni i gjashtë i Autostrada Biennale, i cili do të zhvillohet nga korriku deri në shtator 2027, vijon këtë trajektore të ndërtuar ndër vite, duke u mbështetur në përvojën dhe trashëgiminë e edicioneve të mëparshme. Lista e artistëve, programet publike dhe koncepti kuratorial do të bëhen publike gjatë vitit 2026.
Lucia Pietroiusti shprehet: “Autostrada Biennale ka riformësuar jetën kulturore të Kosovës dhe jam mirënjohëse që do të jem pjesë e edicionit të ardhshëm. Duke parë drejt vitit 2027, duam të rikujtojmë rëndësinë e sjelljes së butësisë në tryezën e përbashkët; të vendosim besimin tonë në kapacitetin e artit për të krijuar hapësirë për jetë, gëzim, përjetim dhe ndërlidhje, në një kohë të shënjuar nga frika. Edicioni i gjashtë ndjek një rrugë të hapur nga themeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, dhe i mbështetur nga puna e jashtëzakonshme e kuratorëve të edicioneve të mëparshme. Autostrada Biennale është unike: ndërsa edicionet vijnë e shkojnë, ajo që ndërtohet mbetet. Infrastruktura kulturore thelbësore vazhdon të qëndrojë dhe të rritet. Ky është një model për festivale të përkohshme që janë të përkushtuara ndaj mbështetjes së ekosistemit më të gjerë kulturor. Jam e nderuar të udhëheq rrugetimin e saj gjatë dy viteve të ardhshme”.
Themeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, theksojnë: “Jemi të lumtur ta ndajmë lajmin se Lucia Pietroiusti do të jetë kuratore e edicionit të gjashtë të Autostrada Biennale në vitin 2027. Angazhimi i saj afatgjatë me artin bashkëkohor dhe mendimin ekologjik rezonon thellë me pyetjet dhe praktikat që i kemi eksploruar ndër vite. Mënyra e saj e punës përtej institucioneve, disiplinave dhe konteksteve përputhet ngushtë me përkushtimin e Autostrada-s ndaj artit si hapësirë për lidhje, kujdes dhe përgjegjësi të përbashkët.”
Lucia Pietroiusti (që jeton dhe vepron mes Londrës dhe Holandës) angazhohet në hulumtim dhe eksperimentim në ndërthurje të artit, ekologjisë dhe sistemeve. Ajo e udhëheq programin për Hulumtim & Emergence në Hartwig Art Foundation, Amsterdam, ku është e angazhuar në përgatitjet për Hartwig Museum, i cili pritet të hapet në vitin 2028. Deri në gusht 2025, ajo drejtonte programin Ecologies në Serpentine, Londër, ku themeloi projektin General Ecology (2018–2025). Pietroiusti është kuratore e operë-performancës fituese të Golden Lion, Sun & Sea, nga Rugilė Barzdžiukaitė, Vaiva Grainytė dhe Lina Lapelytė (Bienalja e 58-të e Venecias dhe turneu ndërkombëtar 2019–2025). Publikimet e saj më të fundit përfshijnë librin The Shape of a Circle in the Mind of a Fish (2025), në bashkëpunim me Filipa Ramos. Së bashku me Ramos, ajo ka qenë gjithashtu kuratore e Songs for the Changing Seasons, Vienna Klima Biennale (prill–korrik 2024), si dhe e Persones Persons, 8th Biennale Gherdeïna (2022). Ajo ka qenë gjithashtu kuratore e Bodies of Water, 13th Shanghai Biennale (2021), në bashkëpunim me Andrés Jaque, Marina Otero Verzier, Filipa Ramos dhe You Mi, si dhe bashkë-redaktore e botimit More-than-Human (2020), së bashku me Andrés Jaque dhe Marina Otero Verzier. Lucia Pietroiusti është Kryetare e Bordit Drejtues të Forma, Londër si dhe anëtare e bordit të Gallery Climate Coalition.
Autostrada Biennale është institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren. Krahas bienales që organizohet çdo dy vjet, që nga viti 2021 ajo funksionon edhe si Autostrada Hangar - Qendër për Art Bashkëkohor, hapësira e saj e përhershme. E vendosur në ish-bazë ushtarake gjermane të KFOR-it, sot pjesë e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, Autostrada Hangar funksionon gjatë gjithë vitit si hapësirë për prodhim artistik, edukim, rezidenca artistike, ekspozita dhe programe publike, dhe është e hapur çdo ditë për publikun.
Foto nga: Talie Rose Eigeland
Kuratorët e edicioneve të kaluara të Autostrada Biennale
2017: Manray Hsu
2019: Giacinto Di Pietrantonio
2021 & 2023: Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu
2025: Erzen Shkololli