



















Këtë të diel, fëmijët u futën në hapësirën ku arti lind – në Hangar 2 të Autostrada Biennale. Aty ku druri, metali dhe tekstili marrin jetë, ata panë me sytë e tyre se si një ide mund të shndërrohet në një vepër arti.
Ekipi ynë i prodhimit i udhëzoi hap pas hapi, duke i njohur me makinat, materialet dhe procesin e punës që qëndron pas çdo krijimi. Fëmijët kuptuan se arti nuk është vetëm rezultat, por edhe një rrugëtim i gjatë i mbushur me punë, kujdes dhe shumë imagjinatë.
Ata mësuan edhe për riciklimin – se si një copë metal apo një fragment tekstili mund të rilindë si pjesë e një vepre. Në punëtorinë e tekstilit, të udhëhequr nga Pezull, zbuluan se si fijet e thjeshta shndërrohen në produkte të reja, duke e parë nga afër fuqinë e krijimit dhe të ripërdorimit.
Më pas, fëmijët vizituan ekspozitat e edicionit të pestë të Autostrada Biennale në hapësirat e ITP Prizren. Me sy të ndritshëm dhe pyetje të pafundme, ata kërkonin të kuptonin jo vetëm çfarë shihnin, por edhe si ishte bërë. Ky udhëtim tregoi se edukimi me art është shumë më tepër se një vizitë – është një proces ku fëmijët mësojnë të shohin pas skenës, të vlerësojnë punën dhe të zbulojnë se çdo material ka potencial për t’u shndërruar në diçka të re.
Foto: TughanAnit