



















Me fillimin e vitit të ri shkollor, Autostrada Biennale ka hapur një kapitull të veçantë për fëmijët: gjatë gjithë muajit shtator, nxënësit e shkollave të Prizrenit do t’i vizitojnë ekspozitat e edicionit të pestë falë partneritetit me shkollat dhe Drejtorinë e Arsimit.
Sot, ishte radha e nxënësve të shkollës “Mustafa Bakiu” me mësuesen znj. Vjollca Gjana. Të lumtur e plot kureshtje, ata shëtitën nëpër hapësirat e trashëgimisë kulturore, duke bërë pyetje pafund rreth veprave të artit. Çdo vepër u bë një ftesë për të menduar, për të ëndërruar dhe për të parë botën me sy të rinj.
Këto momente tregojnë pse arti ka vend kaq të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve: sepse i mëson të jenë kuriozë, të krijojnë, të ndihen pjesë e historisë dhe e së ardhmes.
Si Autostrada Biennale, ne besojmë se përmes artit mund t’i japim shkollës dhe fëmijëve përvoja që i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.
Foto: Erza Bata - Ekip i medias nga Autostrada Biennale