Në vitin 2006, artistët në Mitrovicë u bënë bashkë për të krijuar organizatën kulturore 7 Arte. Qysh nga themelimi i saj, 7 Arte është e përkushtuar të mbështesë artistë të rinj e artiste të reja, si dhe të fuqizojë skenën lokale të kulturës. Përveç programeve kulturore, vizitave studimore dhe shkëmbimit të përvojave, 7 Arte ka ofruar përvoja profesionale për shumë artistë kosovarë. Së fundi kanë hapur një galeri të artit bashkëkohor me emrin Shtatë, e cila përfaqëson përkushtimin e tyre për të promovuar dhe ekspozuar veprat e artistëve që bëjnë hapat e parë në këtë lëmë. Galeria u jep artistëve hapësirë që të shfaqin punën e tyre, të ndërveprojnë me publikun dhe të marrin pjesë në diskursin më të gjerë kulturor.