Shtëpia e familjes Llokvica paraqet monument me rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike për qytetin e Prizrenit. Gjendet brenda kompleksit të Marashit, në rrugën “Vatrat Shqiptare”, nr. 17. Monumenti në fjalë ka një pozitë të favorshme nga aspekti urbanistik dhe gjendet buzë lumit Lumbardhi dhe rrëzë kalasë, respektivisht në pjesën lindore të qytetit. Shtëpia e ndërtuar pranë rrugës dhe brenda kompleksit të Marashit në Prizren, ka vlera urbanistike dhe arkitektonike. Shtëpia është e tipit të mbyllur në kat dhe sipas pronarëve mendohet të jetë ndërtuar para 200-220 viteve dhe karakterizohet nga shembujt më reprezentativë të shtëpive brenda kompleksit dhe më gjerë në qytet, e ruajtur deri në ditët e sotme.