Saraji

Tani shtëpia e familjes Kadriaj, por një kohë e familjes Mijic, Gjendet në bregun e djathtë të lumit, në pjesën rrafshinore të qytetit. Gjendet në Zonën e Qendrës Historike të Prizrenit, në kënd të dy rrugëve, të Sarajit të Vjetër dhe të rrugës anësore “Bujar Godeni” pa numër. Në afërsi të kësaj shtëpie gjendet edhe shtëpia e Shehzades, si dhe shtëpitë reprezentative të cilat edhe sot banohen nga familjet Bilurdagu dhe Grazhda. Sipas të dhënave gojore, shtëpinë e ndërtoi një bej prizrenas për qëllime administrative dhe për banim. Shtëpia i takon arkitekturës folklorike qytetare të shek. XVIII-XIX. Nga aspekti arkitektonik, shtëpia i takon tipologjisë së shtëpive me qoshk të mbyllur, e cila gjendet mbi hajatin apo mbi hyrjen në shtëpi. Vlen të veçohet trau dekorativ origjinal i kohës i vendosur në pjesën sipërme të hajatit. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe simetrike e ndërtuar në kat. Në përdhes gjendet hajati, i cili mundëson qasjen për në shtëpi, dy dhoma kryesore ditore, një dhomë, kuzhinë dhe nyje sanitare të shtuara gjatë restaurimit të fundit (2010-2012). Shkallët nuk janë origjinale, janë prej betoni. Ndërsa në kat gjejmë katër dhoma të fjetjes si dhe nyje sanitare të shtuara më vonë gjatë restaurimi të fundit (2010-2012). Në shtëpi ruhen pjesët e paluajtshme: tavanet, dollapët e vegjël, jyklykët, raftet, stufat dhe trau dekorativ mbi hajat. Në kuadër të shtëpisë gjendet oborri i rrethuar nga të dy anët me mure të trasha prej guri e të suvatuara me llaç. Në vitet 2010-2012, pronari i sotëm i shtëpisë e restauroi atë duke ia ruajtur pamjen e mëparshme. Sot shtëpia është e pabanuar.

Exhibitions
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)