Shtëpia e kaltër daton nga shek. XIX. Ajo gjendet përgjatë rrugës për në kala. Pozita e saj është në mes të kalasë dhe qendrës së qytetit, në zonën e shtëpive të nënkalasë (Varosh). Muret e shtëpisë janë të rindërtuara me materialet e kohës së sotme, por të kapluar me qerpiçë, siç ishte në kohën kur u ndërtua për herë të parë. Ndërkaq, muret e jashtme janë të ngjyrosura me ngjyrë të kaltër, dhe kjo e bën tejet të veçantë shtëpinë. Ngjyra e kaltër në kulturën vendore shihet si autoktone dhe natyrshëm zgjon kujtesën kolektive mbi trashëgiminë kulturore tek qytetarët e Prizrenit. Shtëpia vazhdon të jetë e banueshme edhe në ditët e sotme nga familja Kadriaj.