Përshëndetjet nga diku tjetër, 2019-21

Edona Kryeziu

Përshëndetjet nga diku tjetër Përshëndetjet nga diku tjetër është një film i përbërë nga xhirime të ndryshme të marra nga kasetat e famshme private VHS. Në vitet e 90-ta, kasetat VHS përdoreshin si një kanal komunikimi mes familjeve dhe miqve të ndarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kasetat dërgoheshin nga ata që jetonin në Kosovë për në diasporë dhe anasjelltas, duke shfaqur rrethana të reja të jetesës, qytete të reja, vendbanime të reja të azilit—më shkurt, edhe përshëndetjet nga diku tjetër, nga një vend tjetër. Këto kaseta udhëtuan përmes rrugëve jokonvencionale përtej kufijve, kontinenteve dhe shteteve, dërguar shpesh me aeroplane apo me autobusa, duke kaluar nëpër shumë duar. Kur mbërrinin në shtëpi, kudo që kjo ‘shtëpi’ ishte, familjet dhe fqinjët bashkoheshin, duke pritur me padurim imazhet nga larg.

Përmes një thirrje të hapur, Edona Kryeziu huazoi kasetat e qytetarëve, të cilat ajo i digjitalizoi dhe editoi në një arkivë kolektive filmike. Përshëndetjet nga diku tjetër filloi në vitin 2019 kur Kryeziu rastësisht i gjeti kasetat e vjetra VHS të familjes së saj dhe e krijoi një film prej tyre, i cili më pas u shfaq në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri. Duke i ndarë kasetat e saj personale me publikun, artistja zbuloi se janë ngjarje rituale dhe të përsëritura—ardhjet, shkuarjet, ditëlindjet, dasmat, diplomimet—ato që jo vetëm përshkruajnë por gjithashtu edhe e kanë formësuar mënyrën se si kosovarët jetuan me dhe përmes një dekade plot pasiguri. Marrë për bazë dokumentimin e pamjaftueshëm dhe të paktë të historisë së fundit kosovare, Përshëndetjet nga diku tjetër e kthen arkivën personale në një dëshmi të rëndësishme të së kaluarës që flet dhe e formëson të tashmen.

Edona Kryeziu (1994) ka lindur në Saarlouis dhe jeton në Prishtinë dhe Berlin.

Hapësira: Stacioni i Autobusëve

Credit: