Me ndarjen e Jugosllavisë, luftërat që ndodhën në vitet 90-të dhe me formimin e shteteve të reja, historia kolektive është shprishur. Verzione të ndryshme të librave shkollorë të historisë filluan të përhapeshin në të njëjtën zonë gjeografike, dikur të bashkuar nën socializëm. Rishikimet e vazhdueshme të kurrikulave historike na dëshmojnë se si narrativat historike janë mjete të fuqishme në projektimin e identiteteve kolektive kombëtare dhe mbajtjen e pozicioneve të fuqishme në rendin e ri liberalo-kapitalist. Këto histori revizioniste, tani të hartuara nga perspektiva kombëtare (serbe, boshnjake, kroate, sllovene, maqedonase, malazeze dhe kosovare-shqiptare), jo vetëm që ndryshojnë nga versioni i mëparshëm jugosllav, por edhe nga njëra-tjetra, në njëfarë forme duke e zgjatur situatën e konfliktit ose nxitjen e konflikteve të reja. Instalacioni artistik e hap një hapësirë mendimi për një pozicion (apo disa pozicione) të ri nga ku mund të tregohen narrativa të tjera, përtej perspektivave kombëtare dhe identitare.
Histori të diskutueshme është një bibliotekë në rritje e sipër e librave shkollorë të historisë nga territoret e ish-Jugosllavisë. Ajo paraqet rrëfime historike më pak të njohura nga të gjitha shtetet fqinje. Ramujkić e inicioi bibliotekën në vitin 2006 dhe sot kjo bibliotekë përmban mbi 300 libra të ndryshëm shkollorë të historisë. Instalacioni shpesh shoqërohet nga disa punëtori ku krahasohen libra të ndryshëm në bibliotekë dhe, përmes punës bashkëpunuese dhe transnacionale, shkohet drejt prodhimit të revistave (në formë të zines). Në këto punëtori, të gjithë konsiderohen ekspertë për tema e çështje historike dhe më pas ftohen të ndërtojnë rrëfime të reja, të përbashkëta, jo të dhunshme.
Vahida Ramujkić (1973) ka lindur dhe jeton në Beograd.