PUSHIMET ME LUMEN, 2013-21

Núria Güell & Lumnije Gërguri Stojkaj

Në vitin 2013, Núria Güell organizoi lojën “fshehtas” në portin e Gothenburgut, Suedi, me një azilkërkuese nga Kosova, një ish-police me emrin Maria. Maria ishte në proces të aplikimit, për herë të tretë, për leje-qëndrim në Suedi. Një kontratë u lëshua nga Bienalja e Gotenburgut në suedisht dhe në shqip—gjuha amtare e Marisë dhe Edi Mukës (drejtori artistik i bienales). Kontrata e punës me organizatën e artit u bë në konsultim me aktivistët dhe ishte e dobishme nga ana strukturore në sigurimin e leje-qëndrimit për Marinë. Në lojën “fshehtas”, të vënë në skenë gjatë ekspozitës, Maria ishte gjithmonë ajo që fshehej, ndërsa vizitorët ishin gjithmonë ata që kërkonin. Ftesa për të luajtur pothuajse gjithnjë përfundonte me një dialog të thellë rreth politikës së migrimit, azilit politik, integrimit dhe zhvendosjes, duke e kthyer lojën në bisedë. Projekti, i organizuar në kuadër të Bienales së 7-të të Gothenburgut dhe i kuruar nga Joanna Warsza, tani do të vizitohet sërish, por në anën tjetër të rrugës, në vendin nga vjen Maria—emri i vërtetë i së cilës është Lumnije Gërguri Stojkaj. Güell dhe Gërguri Stojkaj do të kalojnë një pushim të shkurtër në Prizren, duke ecur, duke vizituar dhe duke biseduar. Lindin pyetjet: Si është tani marrëdhënia mes artistes dhe bashkëpunëtores së saj? Si të shohim dhe të punojmë me marrëdhënie të pabarabarta në projekte bashkëpunuese, veçanërisht rreth çështjeve të migrimit? Cilat janë mënyrat etike të adresimit të asimetrive në art? Si e sheh Gërguri Stojkaj artin si pjesë të rrugëtimit të saj në Suedi, ku tani punon si roje burgu? Në pushimin e tyre, të dyja do të flasin për vendlindjen, mërgimin, përkatësinë etnike, luftën, identitetin kulturor dhe peisazhet e së kaluarës. Kush do të luante një lojë “fshehtas” sot? Dhe si e përse? Vizitorët në hapje do të ndeshen me Güell dhe Gërguri Stojkaj në “vizitën e tyre të pushimeve”, ndërsa vizitorët në finisazh do të shohin filmin që rezulton nga udhëtimi i tyre, i cili gjithashtu do të paraqitet online.

Núria Güell (1981) ka lindur në Vidreres dhe jeton në Barcelona.
Lumnije Gërguri Stojkaj (1976) ka lindur në Prizren dhe jeton në Gothenburg.

Hapësira: Stacioni i Autobusëve

Credit: