


Apparatus 22 është një kolektiv rumun i themeluar në vitin 2011, i përbërë nga Erika Olea, Maria Farcas, dhe Dragos Olea, që përdorin natyrën bashkëkohore si materialin e tyre të parë. Të tre artistët modelojnë përmbajtjet e tyre, shfletojnë faqet dhe vënë në pikëpyetje format, duke u përpjekur të përcaktojnë aspektet më të ndryshueshme, në një tension të vazhdueshëm drejt dëshirës për të zbuluar përfaqësimet fiktive të pushtetit dhe të njeriut bashkëkohor. Ata përdorin një qasje kritike, por pa gjykim, duke përdorur shprehje të ndryshme artistike për të vënë në pikëpyetje marrëdhëniet mes modës dhe ekonomisë, fesë dhe lëvizjeve shoqërore, dhe gjinisë dhe politikës.
Për Autostrada Biennale 2019, Apparatus 22 propozon një revolucion të trupit, mendjes dhe shpirtit: SU-PRAINFINIT. Një zë i shpërndarë (Himni I) në stacion lavdëron dhe feston një botë të ardhshme, një univers utopik në të cilin reflektohet bota jonë; një kopje e shtrembëruar dhe e ndryshuar, në të cilën shpresa është oksigjeni dhe një mjet kritik. Ky është i pari nga njëzet e dy himne të dizajnuara nga kolektivi. Është një poezi dhe një këngë e trazuar, një lavdërim për “Avenir”, që na projekton në një botë me ngjyra të pazakonta, ku e vërteta dhe e pavërteta janë të pandara nga njëra-tjetra.
Çfarë forme merr trupi në këtë të ardhme? Në pjesën “Arrangements & Haze”, trupi paraqitet i bardhë si një fletë, si një drejtkëndësh dhe si një poster me fjalë të shtypura. Tekstet eksplorojnë trupin radikal të një kohe që do të vijë, në lidhje me punën, teknologjinë, shpirtëroren dhe ekonominë. Fjalë që japin goditje të pashlyeshme shprehin gjithë kompleksitetin, mistikën dhe përkushtimin e krijuesve të tyre. Duke lëvizur gjithmonë në universin SUPRAINFINIT, kolektivi synon të na pajisë për të analizuar të tashmen tonë. Posteri është i shtypur në 303 kopje të cilat vizitorët mund t’i marrin.
Elena Castiglia