



“Kam lindur në Jugosllavi dhe jam rritur nën regjimin e aparteidit të Millosheviqit. Deri sa mbusha 18 vjet, kur e fituam lirinë, jetuam në një gjendje të përhershme krize.” Alban Muja u rrit në Mitrovicë me babanë artist që dizajnonte billborde dhe reklama për të mbijetuar dhe për të mbështetur familjen. Puna e tij nuk lejohej të shfaqej në institucione.
Muja ka punuar rreth fragmenteve të subjektiviteteve politike dhe shoqërore që e kanë ndërtuar atë dhe të kaluarën e tij, në përpjekje për të kuptuar tablonë e plotë nga kënde të ndryshme, duke ndërlidhur detaje të ndryshme me të tashmen, në filmat, fotografitë, pikturat, vizatimet dhe video-instalacionet. Vepra e tij e re, e punuar për Autostrada Biennale, tregon gjendjen aktuale dhe të ardhmen e monumenteve nga periudha jugosllave në Kosovë dhe mënyrat konfliktuale se si janë të ndërtuara sot hapësirat publike. Për të nxitur një diskutim aktiv publik rreth këtyre pyetjeve—që janë një brengë e madhe për shumë qytetarë kosovarë—Muja përqëndrohet në një monument të barazisë dhe përparimit, i zhdukur papritmas nga qendra e qytetit të tij të lindjes. Sot e kësaj dite, gjendja dhe statusi i monumentit mbetet i panjohur. Një kopje fantazmë tani rishfaqet në Prizren, e vendosur në piedestalin rrethor të një monumenti antifashist të solidaritetit në qendër të qytetit, që u shkatërrua gradualisht pasi Millosheviqi erdhi në pushtet. Muja planifikon ta kthejë monumentin në vendodhjen e tij origjinale në Mitrovicë.
Alban Muja (1980) ka lindur në Mitrovicë, jeton në Berlin dhe Prishtinë.