Fushat e Lulediellit të Agnes Denes vazhdojnë rrugëtimin nga Prizreni në Hamburg

Fushat e Lulediellit të Agnes Denes vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Hamburg pas realizimit në Autostrada Biennale

Pas realizimit të tij në Prizren, projekti artistik Fushat e Lulediellit i artistes së njohur ndërkombëtare Agnes Denes vazhdon rrugëtimin e tij në Hamburg, ku këtë vit është mbjellë për herë të dytë radhazi, në kuadër të programit Nga Kozmosi te e Përbashkëta, kuruar nga Joanna Warsza, Kuratore e Qytetit të Hamburgut.

Fillimisht i komisionuar dhe i realizuar në Prizren gjatë edicioneve të tretë dhe të katërt të Autostrada Biennale (2021–2023), të kuruara nga Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, Fushat e Lulediellit u shndërrua në një vepër të gjallë të artit publik, e zhvilluar në bashkëpunim me aktivistë mjedisorë, nxënës, fëmijë dhe anëtarë të komunitetit lokal. Përgjatë tri viteve radhazi, projekti i transformoi hapësirat e Prizrenit në vende të reflektimit ekologjik, pjesëmarrjes qytetare dhe kujdesit kolektiv.

Për Autostrada Biennale, është një kënaqësi dhe nder i veçantë të shohë se ky projekt i rëndësishëm vazhdon rrugëtimin e tij përtej kufijve të Kosovës, duke zënë rrënjë në Hamburg. Ky vazhdim dëshmon se idetë artistike të mbështetura në angazhimin komunitar dhe përgjegjësinë ekologjike kanë potencialin të tejkalojnë kufijtë gjeografikë, duke krijuar hapësira të reja për dialog dhe bashkëpunim në kontekste të ndryshme.

“Për ne, si Bashkëthemelues dhe Drejtorë të Autostrada Biennale, është jashtëzakonisht frymëzuese të shohim se Fushat e Lulediellit vazhdojnë jetën e tyre në Hamburg”, shprehen themeluesit Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço. “Ky projekt na kujton se, kur arti ushqehet dhe kultivohet me kujdes, ai mund të udhëtojë, të rritet dhe të lidhë komunitete përtej kufijve. Ndihemi të nderuar që një vepër e realizuar për herë të parë në Prizren vazhdon të frymëzojë forma të reja të angazhimit kolektiv dhe imagjinatës ekologjike.”

Përgjatë dekadave, Agnes Denes ka dëshmuar se arti mund të shërbejë si një akt i gjallë përgjegjësie ndaj shoqërisë dhe mjedisit. Përmes Fushave të Lulediellit, ajo na fton të imagjinojmë të ardhme alternative të bazuara në rigjenerim, bashkëjetesë dhe kujdes – vlera që vazhdojnë të jenë në thelb të misionit të Autostrada Biennale.

Në hapjen e projektit në Hammaburg-Platz, Mizbah Mustafa, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Hamburg, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë: "Jam shumë i lumtur që Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg, së bashku me Kuratoren e Qytetit, Joanna Warsza, dhe Autostrada Biennale kanë bashkëpunuar për ta sjellë këtu veprën Fushat e Lulediellit. Për mua, kjo dëshmon mbi të gjitha lidhjen dhe afërsinë mes njerëzve, si dhe fuqinë e kulturës për të ndërtuar ura komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qyteteve dhe komuniteteve."

Projekti Fushat e Lulediellit në Hamburg është pjesë e ciklit pesëvjeçar të ekspozitave Nga Kozmosi te e Përbashkëta (2025–2029), i cili i kushtohet çdo vit një elementi themelor të jetës – Kozmosit, Zjarrit, Ajrit, Tokës dhe Ujit – duke reflektuar mbi marrëdhënien ndërmjet njeriut, mjedisit dhe hapësirës publike.

Autostrada Biennale shpreh urimet më të përzemërta për Joanna Warsza, ekipin e City Curator Hamburg dhe të gjithë partnerët e përfshirë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm në hapësirën publike. Njëkohësisht, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për Mizbah Mustafa, Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Hamburg, për mbështetjen dhe angazhimin e tij në forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Hamburgut.

Partnerët e projektit në Hamburg:

Projekti realizohet në bashkëpunim me Autoritetin për Zhvillim Urban dhe Banim të Hamburgut (BSW), Autoritetin për Mjedis, Klimë, Energji dhe Bujqësi (BUKEA), Ministrinë e Kulturës dhe Mediave të Hamburgut (BKM), Famullinë St. Petri, BürgerStiftung Hamburg, Fondacionin Claussen-Simon, Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Hamburg, Autostrada Biennale dhe banorët e zonës së Hammaburg-Platz.

Fushat e Lulediellit nga Agnes Denes mund të vizitohen në Hammaburg-Platz nga 21 qershori deri më 21 shtator 2026.

Kreditet e fotove 1, 5, 6, 7, 8, 10, 12, 13: Daria Kulnina

Foto të tjera: Kuratorja e Qytetit të Hamburgut

Artikuj të tjerë
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)