Autostrada Biennale është ftuar të marrë pjesë në History Lab Europe, në kuadër të House of European History, iniciativë e Parlamentit Evropian në Bruksel, që bashkon organizata kulturore dhe komunitete nga e gjithë Evropa për të eksploruar mënyra të reja të mbledhjes, interpretimit dhe prezantimit të historisë evropiane.
Në kuadër të Programit të Decentralizuar të History Lab Europe, të zhvilluar në bashkëpunim me European Cultural Foundation (ECF) dhe European Roma Institute for Arts and Culture (ERIAC), Autostrada Biennale do të zhvillojë The Life of a Place (Jeta e një Vendi). Ky projekt me bazë në komunitet eksploron transformimin e hangarëve të ish-kampit ushtarak gjerman të NATO/KFOR-it në Prizren, sot pjesë e ITP Prizren, në Autostrada Hangar - Qendra për Art Bashkëkohor.
Përmes historive gojore, rrëfimeve të komunitetit, kërkimit arkivor dhe dokumentimit audiovizual, The Life of a Place (Jeta e një Vendi) do të bashkojë breza dhe perspektiva të ndryshme të lidhura me këtë hapesirë, duke eksploruar se si identiteti dhe kuptimi i saj mund të transformohen me kalimin e kohës.
Projekti do të sjellë dy rezultate të ndërlidhura: një vepër multimediale në video, që ndërthur histori gojore, materiale arkivore dhe dokumentim bashkëkohor, si dhe një botim me refime të komunitetit, që përmbledhë dëshmi të përzgjedhura, kërkime dhe materiale vizuale të mbledhura e të zhvilluara gjatë procesit. Projekti do të zhvillohet në Prizren gjatë viteve 2026 dhe 2027, ndërsa rezultatet e tij do të prezantohen si pjesë e History Lab Europe në House of European History në Bruksel në vitin 2027.
Për Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, drejtorë bashkëthemelues të Autostrada Biennale, ky bashkëpunim përfaqëson një vazhdimësi të rëndësishme të punës afatgjate të institucionit, që lidh e artit bashkëkohor me edukimin, pjesëmarrjen e komunitetit dhe transformimin te hapësirave përmes praktikave artistike dhe kulturore.
“The Life of a Place (Jeta e një Vendi) sjell rrëfimin e Autostrada Hangar dhe Autostrada Biennale, të rrënjosur në Prizren dhe Kosovë, në një bisedë më të gjerë evropiane. Është rrëfimi i ish-hangarëve ushtarak të shndërruar në një hapësirë për art, edukim dhe komunitet, si dhe i njerëzve që, me imagjinatën dhe përkushtimin e tyre e bënë të mundur këtë transformim. Përmes një vepre në video dhe një botimi, do të tregojmë se si një vend mund të bartë gjurmët e së kaluarës së tij, duke hapur njëkohësisht hapësirë për breza, ide dhe takime të reja. Ky transformim fton gjithashtu ne një reflektim më të gjerë mbi Evropën, historinë e saj të afërt dhe mënyrën se si hapësirat e formësuara nga e kaluara mund të riimagjinohen bashkërisht për të ardhmen. Prezantimi i këtij rrëfimi në House of European History është një mundësi për të kontribuar në këtë reflektim me përvojën tonë nga Kosova, duke ndarë atë që kemi mësuar për kujtesën, paqen dhe të ardhmen që ndërtojmë së bashku.” - Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, Drejtorë Bashkëthemelues të Autostrada Biennale
Përmes The Life of a Place (Jeta e një Vendi), Autostrada Biennale vazhdon angazhimin e saj për krijimin e infrastrukturës kulturore përmes praktikës artistike dhe pjesëmarrjes së komunitetit, duke e ndërlidhur historinë dhe përvojën e transformimit të Prizrenit me diskutime më të gjera evropiane mbi artin, kujtesën, paqen dhe historitë e përbashkëta.