Kush Janë Ferit dhe Nakiye Bayram? 2021

Artist: Sezgin Boynik & Tevfik Rada

Venue: Shtëpia e Shani Efendiut

Ferit Bayram (1888-1965) ishte njëri nga intelektualët e majtë turq më me ndikim në Jugosllavi, i cili ishte i pari që redaktoi një alfabet në turqishten moderne në Jugosllavi, duke filluar në vitin 1947. Ferit Bayram ishte mësues, redaktor, shkrimtar, përkthyes dhe aktivist politik. Ai jetoi pothuajse tërë jetën e tij në Shkup, së bashku me Nakiye Bayram, e cila krahas Rosa Pavleva ishte njëra nga gratë e pakta në atë kohë që u përfshi në kauza socialiste në Maqedoni dhe Kosovë. Politizimi i Ferit Bayram filloi kur ai iu bashkua organizatës revolucionare Ittihat ve Terakki në 1908, e cila u përpoq ta rrëzonte pushtetin absolut monarkist të Sulltanit. Më pas, ai u përfshi në formimin e Partisë së parë Social Demokrate në Shkup, e cila ishte e lidhur me Partinë Socialiste Gjermane. Kjo çoi në politizim të mëtejshëm të Feritit: ai mori pjesë në organizimin e festimeve për Ditën e Majit në vitin 1909, përktheu Manifestin Komunist në turqisht, u anëtarësua në Federatën Ballkanike, dhe më e rëndësishmja, pati aktivitet anti-luftë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.

Pas Luftës së Parë Botërore, Ferit Bayram u bashkua me Partinë Komuniste Jugosllave të sapo themeluar dhe mori pjesë si delegat në kongresin themelor të dytë të partisë, më 1920 në Vukovar. Ai e redaktoi Socijalistička Zora dhe Sosyalist Fecri, si dhe avokoi së bashku me Zef Lush Markun dhe Haxhi Ymer Lutfi Paçarizin, mes popullatës myslimane në Kosovë dhe Maqedoni. Ai ishte aktiv pranë Komunës së Shkupit, dhe, si anëtar i Partisë Komuniste, ishte edhe anëtar i parlamentit demokratik jetëshkurtër të Mbretërisë së Jugosllavisë. Ky projekt kërkimor bazohet në materiale arkivore, përkthime të reja dhe intervista, dhe paraqet Ferit dhe Nakiye Bayram dhe bashkëmoshatarët e tyre në kontekstin e traditës socialiste ballkanike, të ndarë midis tri perandorive të mëdha (osmane, austro-hungareze dhe ruse) dhe kombeve të panumërta të vogla. Projekti tregon historinë e kauzave dhe jetës pasionante të aktivistëve që teorizonin në terren: duke zbuluar, nga e para, një model të ri të organizimit që do të ishte në të njëjtën kohë anti-imperialist, anti-nacionalist dhe anti-kapitalist.

Sezgin Boynik (1977) u lind në Prizren dhe jeton në Helsinki dhe Prizren.
Tevfik Rada (1991) u lind dhe jeton në Prizren.

Other Exhibitions
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)