Autostrada Biennale, Komuna e Prizrenit dhe Allianz Foundation vazhdojnë partneritetin për zhvillimin e kulturës dhe turizmit kulturor në Prizren
Autostrada Biennale, Komuna e Prizrenit dhe Allianz Foundation vazhdojnë partneritetin dhe bashkëfinancimin për periudhën 2026-2027, pas përfundimit me sukses të fazës së parë të bashkëpunimit gjatë viteve 2024-2025. Përmes këtij partneriteti janë realizuar investime dhe programe të rëndësishme që kanë kontribuar në zgjerimin e infrastrukturës kulturore dhe zhvillimin e artit, kulturës dhe turizmit kulturor në Prizren.
Ndër rezultatet kryesore të fazës së parë janë renovimi dhe funksionalizimi i Shtëpisë së Shani Efendiut si hapësirë kulturore për komunitetin, si dhe zgjerimi i Autostrada Hangar - Qendra për Art Bashkëkohor përmes zhvillimit dhe funksionalizimit të Hangar II. Në fazën e dytë, partneriteti do të vazhdojë me zhvillimin e programeve të reja kulturore, edukative dhe publike në këto hapësira, zhvillimin e hapësirave të gjelbra në Autostrada Hangar dhe promovimin e Prizrenit përmes artit dhe turizmit kulturor.
Vazhdimi i partneritetit u zyrtarizua sot në Autostrada Hangar me nënshkrimin e marrëveshjes nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe Drejtori Ekzekutiv i Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, pas nënshkrimit paraprak nga Christian Humborg, CEO i Allianz Foundation në Berlin.
Delegacioni i Komunës së Prizrenit, i përbërë nga Kryetari Shaqir Totaj, Nënkryetari Kujtim Gashi, Zyrtarja për Marrëdhënie me Publikun Jona Hoxha dhe Drejtoresha e Kulturës Ajlin Shishko, u prit në Autostrada Hangar nga bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu dhe Vatra Abrashi. Pas ceremonisë së nënshkrimit, delegacioni vizitoi ekspozitat aktuale në Autostrada Hangar - Qendra për Art Bashkëkohor.
Një nga programet kryesore të këtij partneriteti do të jetë edicioni i gjashtë i Autostrada Biennale i kuruar nga Lucia Pietroiusti, i cili do të zhvillohet nga 11 korrik deri më 11 shtator 2027, duke sjellë përsëri në Prizren artistë, kuratorë, profesionistë të kulturës dhe vizitorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.
“Për ne, Komuna e Prizrenit dhe Allianz Foundation janë shumë më tepër sesa partnerë financiarë; janë institucione partnere që e kuptojnë, e mbështesin dhe besojnë në vizionin e Autostrada Biennale dhe në rolin që kultura mund të ketë në zhvillimin e qytetit. Ky partneritet ndërton mbi rezultate konkrete që tashmë janë të dukshme dhe në shërbim të komunitetit. Autostrada Hangar - Qendra jonë për Art Bashkëkohor dhe Shtëpia e Shani Efendiut janë aktivizuar si hapësira të artit dhe kulturës, ndërsa në këtë fazë të re synojmë t'i zhvillojmë më tej përmes programeve gjatë gjithë vitit. Jemi shumë të lumtur që po vazhdojmë së bashku këtë partneritet, duke krijuar mundësi të reja për artin, kulturën, qytetin dhe komunitetin”, theksoi Leutrim Fishekqiu, Drejtor Ekzekutiv i Autostrada Biennale.
“Vazhdimi i bashkëpunimit me Autostrada Biennale dhe Allianz Foundation dëshmon përkushtimin tonë për zhvillimin e kulturës dhe turizmit kulturor në Prizren. Investimet e realizuara deri më tani kanë krijuar hapësira dhe mundësi të reja për qytetin, ndërsa Autostrada Hangar - Qendra për Art Bashkëkohor tashmë është dëshmuar si një institucion i rëndësishëm kulturor me potencial të madh për të kontribuar edhe më tej në zhvillimin kulturor dhe socio-ekonomik të Prizrenit. Përmes kësaj faze synojmë t'i zhvillojmë më tej këto rezultate, në shërbim të qytetarëve, artistëve dhe vizitorëve të Prizrenit”, u shpreh Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Partneriteti ndërmjet Komunës së Prizrenit, Allianz Foundation dhe Autostrada Biennale synon të vazhdojë zhvillimin e infrastrukturës dhe programeve kulturore, të forcojë turizmin kulturor dhe të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Prizrenit përmes kulturës dhe artit bashkëkohor.