Drejtorët e Autostrada Biennale takohen me Kryetarin e Portos, Rui Moreira, dhe vizitojnë Institucionet kulturore në Porto

Dy nga tre bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu dhe Vatra Abrashi, patën nderin ta vizitonin Porton, pas një ftese miqësore nga Kryetari i qytetit, Rui Moreira.

Këto takime erdhen si rrjedhojë e vizitës së Kryetarit z. Moreira në Autostrada Hangar në Prizren, gjatë muajit qershor, ku të dyja palët diskutuan mbi potencialin e përbashkët për shkëmbim kulturor dhe bashkëpunim. Takimi i fundit në Porto i forcoi më tej këto diskutime, duke hapur rrugë për programe të përbashkëta përmes rezidences për artistë dhe iniciativës për shkëmbime artistike mes Autostrada Biennale dhe institucioneve kulturore të Portos.

Gjatë vizitës drejtorët realizuan takime frymëzuese me skenën e pasur kulturore të Portos, duke eksploruar mundësitë e shumta për bashkëpunim:

Galeria Komunale (Galeria Municipal do Porto - GMP)

Vizita filloi në GMP, ku drejtori João Laia ofroi një vizitë me guidë në galerinë e cila tashmë është e njohur për rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e artistëve dhe kuratorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Diskutimet u përqendruan në bashkëpunime të mundshme, përfshirë programet e rezidencave për artistë dhe iniciativat për të promovuar artistët kosovar dhe portugez.

Campus Paulo Cunha e Silva

Më pas, drejtorët vizituan qendrën inovatore për artet performative. Drejtori artistik Drew Klein dhe koordinatorja Joana Ferreira i ndanë njohurite mbi praktikat e tyre të qëndrueshme dhe mënyrat se si artistët vendas e përdorin hapësirën për eksperimentim. Përmes këtij shkëmbimi u theksuan vlerat e përbashkëta në mbështetjen e krijimtarisë dhe inovacionit.

Porto Design Biennale

Në përfundim të vizitës, drejtoret e Autostrada Biennale zhvilluan diskutime të frytshme me Magda Seifert, drejtoreshë e Bienales së Dizajnit të Portos. Diskutimet u përqendruan në krijimin e programeve të përbashkëta të edukimit të cilat bëjnë bashkë artistë, dizajnerë e arkitektë përmes punëtorive me praktikë.

Ekipi i Autostrada Biennale është thellësisht mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë dhe mundësinë për t'u lidhur me komunitetin artistik të pasur të Portos. Kjo vizitë ka nxitur ide të reja dhe ka forcuar bazat për bashkëpunime të ardhshme që do t'i pasurojnë të dyja skenat kulturore.

Faleminderit, Porto!

Artikuj të tjerë
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)