Bimë Shoqëruese, Gurë Besnikë, 2023

Artist: GÖZDE İLKİN

Vendi: Përgjatë Rrugëve

Stofrat në shtëpitë tona mbartin shenjat e pranisë sonë. Fibrat e tyre, të përbëra nga lëndë bimore, shtazore ose sintetike, mbajnë kontakt intim me jetët tona të përditshme. Gözde Ilkin punon me tekstile të gjetura shtëpiake si arkiva të historisë së jetuar, si dhe si hapësira ku mund të zhdërvillen figura të hibrideve njerëzore-bimore dhe të farefisnisë tejnjerëzore. Për Refakatçi Bitkiler, Emanet Taşlar/Companion Plants, Entrusted Stones (Bimë Shoqëruese, Gurë Besnikë), ajo ka kërkuar nga banorët e Prizrenit t’i ndajnë çarçafët, perdet dhe sofrabezët e tyre me të. Ajo po ashtu ka hulumtuar për bimësinë rajonale dhe përdorimin e saj në motive, duke i parë bimët si gjurmë dhe veprues të metamorfozës dhe të kujtesës kolektive. Përmes përdorimit të bojërave natyrale bimore dhe qëndisjes, ajo ka shndërruar lëndët burimore në një varg veprash të mëdha tekstili që varen në fasada nëpër rrugët e Prizrenit. Ato lidhin sferën shtëpiake, e cila i gjegjet edhe punës riprodhuese të grave, me sferën publike, duke cekur çështjet e përkatësisë, gjinisë, migrimit, familjes, rrëfimi dhe qëndresës si kujdes transformativ. Të frymëzuara nga të çarat dhe gërryerja që tregojnë për shtresat historike të cohës urbane, veprat rikujtojnë traditën lokale të të varurit të stofrave në ndërtesa për t’i ruajtur muret. A lindin ndërlidhjet e reja brenda dhe ndërmjet këtyre të çarave? Nëpërmjet motiveve transfigurative të İlkin abstraktohet fytyra si regjim i organizimit qendror. Kështu ngjet një përzierje queer e trupave, gjymtyrëve, bimëve, gjinive dhe specieve, duke lënë hapësirë për zi dhe rilindje. Rrënjët rriten tërthorazi. Trupat bashkohen me njëri-tjetrin duke qenë gjithmonë në ndryshim e sipër dhe asnjëherë vërtet të ndarë. Përkatësia, në fund, del të mos jetë kategori statike.

Gözde İlkin (1981) ka lindur në Kütahya dhe jeton e vepron në Stamboll.

Mbështetur nga SAHA Foundation

Teksti nga Andria Nyberg Forshage

Foto nga Tuğhan Anıt

Nuk mund të jem dëshmitare e atyre tregimeve që nuk i kam parë, e atyre që nuk i di, por vetëm mund t’i shoqëroj ato që i kam ndjerë. Imazhet e punuara mbi materiale të marrura nga Prizreni dhe trashëguar nga familja ime, shërbejnë si një përcjellës i veçantë i historive që mbajnë kujtesat e ndryshme të jetës, mbulesat e punuara me dorë me motive të ndryshme dhe të prekura nga bimët dhe pamjet e natyrës. Ky është projekti “Refakatçi Bitkiler, Emanet Taşlar,” e cila prezantohet me 3 vepra të punuara mbi materiale.

Përjetimet nëpër shtëpia, historitë e fshehura në ndërtesat e qytetit, motiveve arkitekturore, pragjet e shtëpive, çarjet e mureve, janë përputhur me motive dhe njollat e pëlhurave që mbartnin kujtime të përjetuara.

Me mbështetjen e ekipit të biennales dhe kuratorëve, ne u bashkuam me idenë ku përjetimet brenda shtëpive të ekspozohen jashtë nëpër rrugë. Me anë të Autostrada Biennale, kuptimi i këtij takimi, ku ndërtesat dhe pëlhurat ishin të thurura së bashku, ndryshoi në mënyrë të paparashikuar me shembjen e objektit bashkë me këtë vepër.

Kjo vepër e punuar me frymëzim nga përbërja dhe raportet ndërsjellësore të formave të krijimit në natyrë, të cilat gjejnë jetë duke vendosur vetë në zbrazëti të njëra-tjetrës është përbërë nga kujtesa e përbashkët e krijimeve natyrore dhe marrëdhëniet që ndryshojnë njëra-tjetrën. Unë e kam punuar këtë vepër me motivet dhe historitë e çarçafeve të punuara me dorë, të marrura nga familjet e dashura të Vatrës dhe Leutrimit, me bimët e luleve që përfaqësojnë dëshmorët e Kosovës, vepra është e përbërë nga format trupore, të shoqëruara me karafila që simbolizonin ujin, lumin dhe gurët. Simbolet dhe shenjat në gurët që i referohen unitetit të natyrës dhe qenies njerëzore, të gjetura në gërmimet arkeologjike në këtë gjeografi, i kam qëndisur në figura si shënime kujtese të vendit. Terreni i kujtimeve që ia kemi dhuruar njëri-tjetrit është shembur.

Këtë vepër e cila ndërthuret me kujtesë të përbashkët me tokën e Prizrenit, ia kushtoj rrënjëve të familjes time që shkojnë deri në Jugosllavi, dhimbjen dhe humbjet e pa regjistruara që i kemi vuajtur, dhe për shpirtin e gjyshit tim, Hüsnü İlkin.

E falënderoj nga zemra ekipin e Autostrada Biennale dhe kuratorët me të cilët punova bashkë gjatë gjithë këtij procesi, artistët, familjen time që gjithmonë më kanë mbështetur, ekipin e Saha dhe galerinë .artSümer.

Gözde İlkin

Ekspozita të tjera
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)