Peziazis Prej Përreth Rajonit Të Kosovës, 2021–23

Artist: BAJRAM MEHMETI

Venue: Shtëpia e Shani Efendiut

Në fshatin e vogël Lepinë të banuar me serbë dhe romë, i cili gjendet rreth gjysmë ore larg me makinë nga Prishtina, është e vendosur studioja e artistit rom Bajram Mehmeti, të cilën e ndan me të motrën, artisten e mirënjohur Farija Mehmeti. Farija njihet për portretet e grave rome që shpërfaqin në mënyrë të stërholluar tiparet e fytyrave dhe yrnekët e veçantë të tekstileve, ndërsa i vëllai njihet për peizazhet e tij me pastel. Mehmeti gjithmonë ka dashur të jetë piktor. Sidoqoftë, për shkak të gjendjes ekonomike të familjes, ai nuk ka pasur mundësi ta ndjekë ëndrrën për të studiuar në Degën e Arteve të Bukura të Akademisë së Arteve. Vetëm në vitin 2000 ia kishte dalë të ndiqte një kurs pikturim me piktorin kosovar Zoran Živković, i cili jepte mësim në një shkollë private në fshatin Uglar të Fushë Kosovës të banuar me serbë. Në fund të semestrit, ai kishte marrë pjesë në ekspozitën e parë grupore, e cila u kishte hapur udhë mundësive të tjera. Pikturat e ëndërrta të Mehmetit paraqesin peizazhe konkrete dhe imagjinare dhe skena nga fshati i tij i Lepinës, të bazuara në kulturën dhe traditën rome. Vepra e tij përshkohet nga një ndjenjë prehjeje por edhe çiltërsie, duke marrë parasysh teknikat e tij popullore të të pikturuarit. Pikturat luhaten nga imazhet e përditshmërisë te joshja e vendeve imagjinare. Pamjet e lumenjve, shtëpive, njerëzve që punojnë në ara ose që marrin pjesë në aktivitete të tjera të zakonshme përbëjnë subjektet e tij kryesore. Në Autostrada, ato shfaqen mu ashtu siç i paraqet ato në studion e tij të vogël, si kaleidoskop imazhesh që na flasin nga tryeza e punës.

Bajram Mehmeti (1980) ka lindur në Lepinë dhe jeton e vepron në Lepinë.

Mbështetur nga ERIAC

Teksti nga Hana Halilaj

Foto nga Tuğhan Anıt

Other Exhibitions
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)