Zhytu Në Kutinë E Zezë Të Zhytjes, 2022

Artist: ANNA BOGHIGUIAN

Vendi: Hangar 2

Historia, siç na mëson një thënie, “peshon si makth në mendjet e të gjallëve”. Përgjatë veprës së saj, Anna Boghiguian nuk ka ngurruar asnjëherë të ballafaqohet me këtë makth metaforik, duke numëruar fytyrat dhe emrat e shumtë të tij, të ndërlidhjeve dhe shkëmbimeve, të revolucioneve dhe kapërcejeve të ëndërrta. Dive into the Dark Dive Box (Zhytu në Kutinë e Zezë të Zhytjes) i del ballë për ballë këtij makthi. Gijotina, simboli i Revolucionit Francez si dhe i Terrorit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë, qëndron pezull dhe kryengulthi në mes të instalacionit. Një pasqyrë si platformë rrotullohet përfundi, e mbuluar me letra. Ajo është e larë me dritë të kuqe dhe e shënuar me fjalë dhe shprehje të shkruara me bojë të kuqe, një ngjyrë që sugjeron si përpjekjen, ashtu edhe dhembshurinë. Një pjesëz shoqëruese muzikore, e bazuar në një skenar të artistes, u jep zë antagonizmave të shumtë politikë të modernitetit, si dhe mënyrës së si lëvizjet artistike u janë përgjigjur atyre. Të rrotulluarit, ashtu siç bën platforma, do të thotë të kalosh përmes diçkaje, të përmbysësh ose të kthehesh. Boghiguian sjell ndër mend këto ambiguitete së bashku me peshën e zbrazët e të gjitha gjërave që janë shpërngulur në kohë trazirash. A nënkupton çlirimi ikjen, apo pezullimin e përhershëm? Sidoqoftë, vepra e saj sugjeron që historia nuk është monolit. E instaluar në hangarin e ripërcaktuar të një ish-baze ushtarake, platforma rrethohet nga një numër vizatimesh. Me praktikën e saj tashmë të gjatë e nomade të skicimit të qyteteve, të njerëzve dhe të rrëfimeve me bazë në hulumtime të hollësishme, dhe me vëmendje në mënyrën se si tregtia dhe materialet i japin trajtë shoqërisë, Boghiguian ngjall një shumësi lëvizjesh, brengash, ëndrrash dhe jetësh të veçanta.

Anna Boghiguian (1946) ka lindur në Kairo dhe jeton e vepron në Kairo.

Teksti nga: Andria Nyberg Forshage

Foto nga: Tuğhan Anıt

Ekspozita të tjera
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)