Çfarë Ke Çmësuar Sot? 2020

Artist: KAMEELAH JANAN RASHEED

Vendi: Hangar 3

Po pra, çfarë ke çmësuar sot? Çfarë kam çmësuar unë? Adresimi i drejtpërdrejtë i veprës së Kameelah Janan Rasheed me themel tekstual, titulli i saj dhe trajta tipografike e ftojnë shikuesin t’ia shtrojnë këtë pyetje vetvetes. Të vetëreflektojnë. Në vend që të kërkojë transparencë në formë të një përgjigjeje përfundimtare, pyetja e Rasheed lë hapësirë për paqartësi. Ia hap portën të panjohurës në vend se t’ia mbyllë. Zakonisht pllakatet e mëdha reklamuese përmbajnë porosi që pritet të përthithen pa u tretur. What have you unlearned today? (Çfarë ke çmësuar sot?) e përmbys këtë lexim. Nuk flitet për ndonjë lloj testi. Por kërkohet një gatishmëri për t’u ballafaquar me ndryshimin dhe parehatinë. Si artiste dhe edukatore, Rasheed angazhohet me mënyrën se si bota e shtypshkruar është bërë ligj por prapëseprapë vazhdon të shumojë lexime çlirimtare. Duke nxjerrë mostra, duke kopjuar dhe duke ndërtuar kolazhe me letra të veçanta nga burime të shumëllojshme, Rasheed përqendron vëmendjen te fizikaliteti dhe ndryshueshmëria e teksteve, fjalëve dhe klasifikimeve tipografike. Rasheed referencon historinë moderne të shtypit radikal të të zinjve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë ushtruar botimin si formë qëndrese. Më tutje, Rasheed frymëzohet nga shkrimi si formë e praktikës së përshpirtshme, sikur kaligrafia myslimane. Bashkimi i dorëshkrimit me tipografinë i jep Rasheed hapësirë më të lirë për lojë semiotike. Çdo fjalë është e plotësuar me shënime dhe alternativa, pa ndonjë kuptim të vetëm apo përfundimtar. (Ç)mësimi, siç thotë Rasheed, mund të jetë çështje e të qëndruarit me atë që është e vështirë, por edhe formë e shkrehjes.

Kameelah Janan Rasheed (1985) ka lindur në East Palo Alto dhe jeton e vepron në Brooklyn.

Teksti nga Andria Nyberg Forshage

Foto nga Tuğhan Anıt

Ekspozita të tjera
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)