









Selma Selman ngrit zërin, bërtet, thërrmon, çmonton dhe ekstrakton. Ajo po ashtu punon me familjen e saj dhe shkruan autofiksion. Vepra e Selman, si grua e re rome e rritur në Bosnjë, nuk është për kufizimet e trupit fizik ose për qëndrueshmërinë, por është më fort e interesuar për atë se si narrativat e ndryshme të vetvetes mund të instrumentalizohen për t’i thyer paradigmat keqfunksionale kulturore dhe politike të botës së saj—pra, mënyra se si shoqëria dëshiron të mendojë për të. Ajo beson që subjekti i minoritetit (të konstruktuar) artistik është parodi e politikave identitare, me udhëzimet e kategorizimet e tij gati-gati absurdiste. Prandaj veprat e saj nuk kritikojnë vetëm kulturën si makina të perceptimit dhe relacionit, por po ashtu kuptojnë cenueshmërinë si formë të re të pushtetit. Selman është rritur me paralajmërimin e së ëmës, një nuse e re nga Prishtina dhe nënë e pesë fëmijëve, që i thoshte: “Mos u bëj si unë”. Kontributi i saj për edicionin e 4-t të Autostrada Biennale përbëhet nga katër portrete të mëdha të grave nga familja e saj, të pikturuara në pjesën e përparme të një Mercedesi—një medium i posaçëm i praktikës së saj. Portretet janë nga një fotografi familjare të shkrepur gjatë dasmës së parë të madhe në qytetin e saj pas luftës. Selman shënon që shumë ngjarje të komunitetit rom u ndaluan për shkak të luftës dhe kolapsit ekonomik që ndoqi atë. Portretet përkujtojnë dhe kremtojnë gjërat që kanë mundësuar mbijetesën e këtyre grave në kushte aq të vështira. Në Prizren, kjo vepër ndërthur pjesë të ndryshme të përpjekjeve të saj artistike duke gjurmuar dhe rishkruar historinë e familjes së saj përmes këndvështrimeve të grave, gjë që çliron identitetin rom nga vetëperceptimet e imponuara nga Perëndimi dhe që trazon traditat e portretit si formë përfaqësimi.
Selma Selman (1991) ka lindur në Bihać dhe jeton e vepron në Amsterdam.
Mbështetur nga ERIAC
Teksti nga Övül Ö. Durmuşoğlu