



















“Ngandonjëherë më zë dëshira që të bëj një shëtitje rrugëve të Prizrenit–madje edhe në mënyrë sekrete, e fshehur pas ferexhes që, si dikur, të mos më njohë askush. Por u ktheva shpejt. E di se kjo më nuk është e mundshme. E kam zëvendësuar Kalanë e Prizrenit me Kalemegdanin e Beogradit dhe kjo nuk është gjë e keqe–nuk është e njëjtë, por edhe ashtu asgjë më nuk është njësoj.”
—Didarja Dukagjini në veprën e Miroslava Malešević, Didarja: Rrëfimi jetësor i një prizrenaseje
Si arkeologe amatore, Darinka Pop-Mitić heton artefaktet dhe ngjarjet që shtjellojnë kuptime të reja mbi rënien e Jugosllavisë në lidhje me gjininë, klasën dhe etninë. Për këtë vepër të re të porositur, Pop-Mitić mëton të plotësojë dëshirën e shprehur nga Didare Dukagjini, heroina jugosllave e lindur në Prizren që ishte simbol i emancipimit të grave, që të ecë lirshëm nëpër qytetin e saj të lindjes, ku kishte filluar përpjekja e saj për liri. Dukagjini ishte mësuese shqiptare dhe aktiviste politike që kishte lënë Prizrenin për t’i ikur një martese me mesit dhe për t’iu bashkuar Frontit Antifashist të Grave të Jugosllavisë (FGA) në Beograd. Jetëshkrimi i saj Didarja: Rrëfimi jetësor i një prizrenaseje, i shkruar nga antropologia Miroslava Malešević, është dëshmi e rrallë e emancipimit të grave jugosllave pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore që i ka rezistuar harresës së kohës. Duke iu referuar jetëshkrimit, artistja përkthen çaste të rëndësishme të jetës së hershme të Dukagjinit dhe i shndërron në një varg pikturash të vogla dhe të mëdha të vendosura në rrugët “Kosova”, “Tahir Meha” dhe “Mehmet Pasha” në Prizren. Pikturat formojnë një shteg që i çon vizituesit nga Shkolla Fillore “Motrat Qiriazi” deri te shtëpia e familjes Dukagjini. Një libërth në tri gjuhë (shqip, turqisht dhe anglisht) që plotëson projektin shpërndahet në Pykë.
Darinka Pop-Mitić (1975) ka lindur në Beograd dhe jeton e vepron në Beograd.
Mbështetur nga HBS
Teksti nga Giulia Menegale
Foto nga Tuğhan Anıt