Epoka E Pleqve, 2023

Artist: NATHAN GRAY AND THE JULUWARLU GROUP ABORIGINAL CORPORATION

Vendi: Ish-Stacioni I Radios

Në vitin 2021, populli Yindjibarndi i rajonit Pilbara (në Australinë veriperëndimore) është bërë populli i parë aborigjin që gëzon të drejtën mbi pronësinë e një miniere ekzistuese. Si dëshmi për lidhjen që kanë me atë truall i kanë dorëzuar gjykatës këngë, rrëfime dhe piktura nga arkivi i tyre kulturor dhe gjuhësor. E themeluar në fundin e viteve të 80-ta, Juluwarlu Group Aboriginal Corporation është shembull i asaj që kuratorja Margot Neal (nga Qendra për Dijet Indigjene) quan “arkivi i tretë”. Është pra një dyzim i arkivit të shkruar dhe teknologjik perëndimor dhe i formës aborigjine të ruajtjes së dijes—një arkiv i ngulur në “vend” si varg këngësh e rrëfimesh të veçanta për hapësirën (që zakonisht quhen songlines), të cilat krijojnë një mjet mnemonik për kujtimin e vëllimeve të mëdha të historisë gojore dhe diturive ekologjike. Bashkëpunimi i Juluwarlu me Nathan Gray është një vepër radiofonike që është krijuar gjatë një rezidence artistike në Pilbara dhe bazohet në intervista të bëra me pleq të Yindjibarndi, autobiografitë e të cilëve lexohen nga pasardhësit e tyre, duke vënë në kornizë një periudhë kohore të karakterizuar nga qëndresa ndaj shpronësimit të trojeve, shtypjes dhe dhunës koloniale. Mjegullimi i breznive, veçoritë ahistorike të audios, si dhe stili joformal e ndërhyrjet e herahershme nga lexuesit—shumica prej të cilëve janë pleqtë e sotëm—e tërheqin në mënyrë të pashmangshme këtë histori gojore në çastin e tanishëm, duke e vendosur përkrah përpjekjeve bashkëkohore dhe duke siguruar që e kaluara të jetë e prekshme në të tashmen. Shënim: Ju lusim ta keni parasysh që kjo vepër përmban incizime të zërave të personave aborigjinë që tanimë kanë vdekur.

Juluwarlu Group Aboriginal Corporation (e themeluar në vitin 1998) është arkivi kulturor i popullit Yindjibarndi të Australisë veriperëndimore. Nathan Gray (1974) ka lindur në Perth dhe jeton e vepron në Berlin.

Teksti nga Joanna Warsza

Foto nga Tuğhan Anıt

Ekspozita të tjera
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)