








Si mund të lëshojë rrënjë dikush në një vend të cilit qartazi nuk i përket? Dhe çfarë do të thotë kur kësaj pune i dilet mbanë? Ç’është gjëja që e lidh dikë me tingullin e një gjuhe që s’e ka folur kurrë më parë? Çfarë nëse revolucioni është një nga këto gjuhët që s’janë dëgjuar e s’janë shqiptuar, por që kuptohen? Me shtrimin e këtyre pyetjeve, Hong-Kai Wang luan me frekuenca të ndryshme në botën që lidh njerëzit jo vetëm me njerëz të tjerë, por edhe me truallin dhe me qeniet e tjera të gjalla përgjatë kohës. Hazzeh fillimisht është porositur nga Fondacioni MMAG në Amman për të hulumtuar tingujt e peizazhit palestinez që përshkruhen gjallërisht e poetikisht nga Jean Genet në Prisoner of Love (I Burgosuri i Dashurisë, 1986). Genet ka qenë në Jordani dhe në Liban gjatë një kohe kritike për rajonin dhe lëvizjet e tij “kanë pasur pothuajse efektin e leximeve sizmografike, duke i gjetur dhe shpërfaqur thyerjet që fshihte një sipërfaqe kryesisht normale”, me fjalët e Edward Said. Në arabishte, hazzeh do të thotë lëkundje apo dridhje, pra i referohet tërmetit. Në këtë rast, kjo metaforë kontekstualizon në mënyrë të fuqishme konfliktet e rrëmujshme të rajonit, truallin që plasaritet e dridhet tektonikisht nën peshën e historisë. Wang përdor një traditë vajtimi palestineze të ndaluar e thuajse të harruar që quhet Nuwah për të vendosur lidhje me mënyrën sizmologjike të Genet për të kuptuar peizazhin jordanez. Ajo ka bashkëpunuar me gra të reja palestineze e jordaneze që vetëm kishin dëgjuar për Nuwah nga më të moshuarit. Në formën e një ushtrimi të hapur, ato u kënduan e i vajtuan së bashku të thyerjet në vende të ndryshme të Jordanisë veriore dhe të Palestinës. Ato krijuan së bashku; ato dëgjuan frekuencën e përgjigjes që jehonte nga vetë trualli. Hazzeh është një mjedis sensual i thurur me vepra të tilla të të pyeturit, të nderuarit, të vajtuarit dhe të dëgjuarit—një përpjekje për të komunikuar me historinë që është i është këputur botës.
Hong-Kai Wang (1971) ka lindur në Junlin dhe jeton e vepron në Tajpej.
Mbështetur nga National Culture and Arts Foundation in Taiwan
Teksti nga Övül Ö. Durmuşoğlu
Foto nga Tuğhan Anıt