Koha E Lojës, 2023

Artist: School Of Mutants

Vendi: Hangar 3

Playtime (Koha e Lojës) është hapësirë për mësim jokonvencional—një instalacion lozonjar që mirëpret edhe fëmijët, edhe të rriturit duke inkurajuar kërshërinë, imagjinatën dhe ndërtimin e dijes kolektive. Instalacioni bie ndesh me arkitekturat formale të të mësuarit, duke lejuar lirinë e lëvizjes dhe angazhimin me rrethinën e saj dhe me vizituesit e tjerë. Një pjesë e instalacionit është bredhëse—ajo lëviz nëpër lagje, nëpër parqe dhe nëpër sheshet publike të Prizrenit—për të ndërvepruar me komunitete përmes të rrëfyerit, aktiviteteve edukative dhe një afrueshmërie të re. Shkolla e Mutantëve është një platformë bashkëpunuese për art dhe hulumtim e nisur në vitin 2018 në Dakar të Senegalit. Duke punuar ndër gjeografi të ndryshme dhe përmes angazhimit me mutacione shoqërore-kulturore, ekologjike dhe estetike të reales, kolektivi synon të mobilizojë hapësira për prodhimin, përçimin, decentralizimin dhe pluralizimin e dijes me mënyra johierarkike. Duke u nisur nga hulumtimet për infrastrukturat edukative dhe utopitë pedagogjike që janë shpërfaqur në Afrikën Veriore dhe në Senegal pas pavarësisë, kolektivi reflekton mbi trashëgimitë e futurizmit afrikan, Lëvizjen e Paangazhuar, solidaritetet Jugore, si dhe imagjinon praktika të reja të të mësuarit të përbashkët të shkolonizuar. Kolektivi huazon emrin nga Universiteti i Mutantëve, i themeluar në vitin 1978 në ishullin Gorée të Senegalit, i njohur për shpërndarjen e dijes eksperimentale dhe kundërshtimin autoritetit epistemologjik Perëndimor.

Lokacionet dhe aktivitetet e instalacionit bredhës do të bëhen të njohura në uebsajtin e Autostrada Biennale dhe në vende të tjera.

School of Mutants ushtron veprimtarinë mes Dakarit, Brukselit, Parisit, Tajpejt, Londrës dhe Saint-Étienne. Anëtarët pjesëmarrës në Autostrada Biennale janë Stéphane Verlet-Bottéro, Hamedine Kane, Boris Raux, Diane Cescutti, Lou Mo, dhe Fabrice Pichat.

Teksti nga Ieva Laube

Ekspozita të tjera
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)