Within Heritage Movements (Përbrenda Lëvizjeve të Trashëgimisë) nis prej një çasti befasie: ndeshja e Oscar Lara-s me tapiceritë e Paracas para kontaktit me evropianët në Muzeun e Gothenburg të Kulturës Botërore. Ose mbase filloi prej një çasti hajnie: në vitet e 30-ta, diplomatët suedezë kishin kontrabanduar këto vepra nga Peruja, vendi i prejardhjes së Lara-s. Befasia, hajnia dhe një reflektim mbi kuptimin dhe krijimin e autenticitetit janë të thurura në punën komplekse të Lara-s që do të vazhdojë gjatë dekadës së ardhshme. Përmes një gjesti lozonjar, por mashtrues, thelbi i projektit përfshinë rikrijimin e hollësishëm të tapicerive indigjene vetëm përmes punës së suedezëve: me hulumtues suedezë, artizanë suedezë, financim suedez dhe, sí, lesh të alpakave suedeze. Trajektoret e këtyre kopjeve dikur janë kryqëzuar me ato të veprave origjinale, të cilat janë rimarrë zyrtarisht dhe janë riatdhesuar në Peru; dy grupe tapicerishë që udhëtojnë në paketa diplomatike përmes Atlantikut, përmes tegelave të kolonializmit, fije të lirshme që kurrë nuk gjejnë vendin e tyre. Within Heritage Movements përbëhet nga shfaqja e tapicerive mahnitëse, një video dhe nga materiali arkivor. Ajo është po ashtu shfaqje e mënyrës se si inskenohet kultura e estetikës së ekstraktimit, të marrëdhënieve të pabarabarta të punës që strukturojnë botën e globalizuar. Fillimi i procesit të riatdhesimit mund të pikaset, po kur mbaron ai (në qoftë se mbaron fare)? Vepra e Lara-s përqafon paqartësinë që shoqëron çdo trashëgimi, e riinterpreton dhe me mprehtësi fton shikuesit të marrin pjesë në këto lëvizje të trashëgimisë.
Oscar Lara (1977) ka lindur në Lima dhe jeton e vepron në Stokholm.
Teksti nga Áron Rossman-Kiss