Shëtitja e gjatë, 2017

Artist: Doruntina Kastrati

Venue: Rrënoja / Shtëpitë në Nënkala

Bota është lëvizje, gjithçka ecën. Dhe arti nuk është pasqyrë, por lëvizje. Këtë e kuptova edhe vetë kur e ndjeva se vepra ime prej grafike, për çka edhe kisha studiuar, nuk më jepte përgjigje dhe kënaqësinë e duhur. Andaj me tri vite të kërkimeve të mia nuk mjaftohem me vizione të sheshta, por intrigohem dhe joshem me lëvizje dhe vizione plastike. Kjo lëvizje e imja e brendshme kushtëzohej edhe me shqetësimet ekzistenciale që i përjetoja duke përcjellë përditë lajme tragjike mbi refugjatët: kolona të gjata që gjarpëronin nga Lindja drejt Evropës, si dhe anijet e stërmbushura me hallexhinj në kapërcim të Mesdheut… I kujtoja rrëfimet e ngjashme të të dëbuarve kosovarë, atë ecje të gjatë të brezit të prindërve të mi, më 1999…

Pyetja që shtroja ishte “Ç’është kjo ecje e gjatë?”, që skuqte gjithçka përreth meje: ujin, lulet, tokën, çdokënd, madje edhe ty dhe mua, që të ndiheshim të frikësuar, të tmerruar?! Kuptoja se pyetja ishte universale, shtronte enigmën e ecejakeve të përditshme të çdo gjallese, të çdo individi.

Që nga lindja e deri në fund të ciklit jetësor, pothuajse pareshtur lëvizim nga e njohura dhe e përjetuara, drejt të panjohurës e të papërjetuarës. Nga ëndrrat tona, në territore të reja, si zona të shpresës, por edhe të frikës…

A është e pashmangshme, që duke kërkuar paqe, lumturi, një jetë më të mirë, të të ndodhin kaq disfata të udhëtimeve të detyruara, të dhunshme? Kam gjakuar gjatë për një pikëvështrim të metamorfozës, që dualizmit t’ia japë fuqinë e mbijetesës dhe intuitivisht më është dukur se po kërkoja këmbët e dhisë, apo edhe të kopesë së dhive që mbijetojnë edhe në kushtet më ekstreme të ekzistencës, ndër shkëmbinjtë e pjerrtë me do shkurre të pakta me të cilat ushqehen.

Dhitë, me sa di unë, nuk lindin me instiktin e ngjitjes së shkëmbinjve, por e zhvillojnë aftësinë nga nevoja e mbijetesës. Në projektin tim kam bërë dhjetë skulptura me materiale organike, pra dhjetë dhi, ku fokusin e kam vënë tek këmbët e tyre, te këto armë të mbijetesës.

Other Exhibitions
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)