






Pasi kishte lënë Bosnjën për të shkuar në Berlin, Mila Panić filloi të vinte në pyetje mendimet për t’u kthyer, të kishte ndjenja faji dhe përgjegjësie dhe të ekzistonte përbrenda paqartësisë së të jetuarit në kufirin mes “të këtushmes dhe të atjeshmes”. Përmes artit pamor dhe komedisë stand-up, ajo përqendrohet te rrëfimet personale që i shndërron në narracione gazmore e zbavitëse për të dëshiruarit e një jete më të mirë. Artistja përdor humorin për të krijuar çaste çliruese ose për t’u tallur me patriarkatin, shpërnguljen dhe situatat dëshpëruese. Just between Us (Vetëm mes Nesh), e krijuar posaçërisht për Autostrada Biennale, ka prejardhjen nga përvoja e artistes në lëmin e komedisë stand-up, ku ajo përdor teknika të humorit për të përmbysur formatin e diskutimeve artistike dhe për të sjellë humorin brenda sfondit institucional dhe botës së artit. Ndërsa ajo bën hoka, vizituesit nxiten të japin komentet e tyre, të shprehen përmes të qeshurave ose të marrin pjesë në diskutime me njëri-tjetrin. Komedia stand-up dhe vizatimet e Panić në Prizren përqendrohen në rrugëtimin e saj drejt Kosovës duke përfshirë ftesën për të marrë pjesë në Autostrada dhe procesin e marrjes së vizës. Ajo përfshin rrëfime për Kosovën që ka dëgjuar gjatë fëmijërisë dhe ndodhi të përditshme nga diaspora, sikur për ndjenjat e mospërshtatjes dhe përvojat me dashurinë dhe punën. Pra le të qeshim sepse kur bëjmë një gjë të tillë, sidomos me vetveten tonë, jemi më të prirur të përqafojmë ndryshimin. Skenar ka, por ndjenjat janë të njëmendta.
Mila Panić (1991) ka lindur në Brčko dhe jeton e vepron në Berlin.
Teksti nga Joanna Warsza
Foto nga Tuğhan Anıt