Kryetari i Komunës Së Prizrenit Z. Totaj Vizitoi Ekspozitën e Edicionit Të Katërt Të Autostrada Biennale

Edicioni i katërt i Autostrada Biennale ka sjellë temën “Të Gjitha Imazhet Do Të Zhduken Një Ditë”, që sipas kuratorëve Joanna Warsza dhe Övül Durmuşoğlu është një ekspozitë për atë që na bën e që na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur, për liritë përtej zgjedhjeve, për të imagjinuarat që rrjedhin pavarësisht nga kufijtë dhe përmatanë tyre.

Z.Totaj ditën e mërkurë ka vizituar disa vepra të artit bashkëkohor të ekspozuara në hapësira publike, objekte komunale e në selinë e Autostrada Biennale. Veprat e artit bashkëkohor të ekspozuar në kuadër të edicionit të katërt të Autostrada Biennale i kanë lënë mbresa edhe kryetarit të komunës, Shaqir Totaj, madje njërën prej tyre synon ta mbajë përgjithmonë në qendër të qytetit, nëse për këtë arrihet të ketë marrëveshje me autoren.

Ndalesa e parë e tij ka qenë vepra “Në Thellësinë e Natës Qielli Sheh Diellin” nga autorja Neda Saeedi, e cila imagjinon një sy të qytetit që sodit nga e kaluara drejt së ardhmes – brenda piedestalit rrethor të monumentit të shkatërruar të partizanëve – gjë që simbolizon rrëfimin e pasosur të shpërnguljes dhe vendosjes. Vepra e artistes me origjinë iraniane, e me shtetësi gjermane e ka zbukuruar komplet sheshin. Kjo vepër është prodhuar enkas për këtë vend, jemi duke shqyrtuar mundësinë se si ta mbajmë këtë vepër këtu përgjithmonë, është shprehur Totaj.

Bashkë-themeluesi dhe drejtori i Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu ka pohuar se ky organizim është njëra prej ngjarjeve kryesore të artit bashkëkohor në rajon që promovon artistët e kësaj ane, por njëkohësisht tërheq edhe publik nga vendet fqinje. Për këtë arsye edhe quhet ‘Autostrada Biennale’ apo Biennale në lëvizje, pra nuk e ka emrin e qytetit, dhe ky është edhe thelbi i krejt ekspozitës që tregon një unitet që i bashkon njerëzit. Sipas tij, Komuna e Prizrenit është partner i rëndësishëm, meqë krahas mbështetjes financiare, ofron edhe hapësirat publike dhe objektet e ndryshme që për dy muaj shndërrohen në galeri që presin vizitorë.

Totaj ka vizituar edhe veprat e artistëve Bourcha Khalili, Bajram Mehmeti, Nil Yatler, Oscar Lara dhe Kostas Bassanos, dhe nga stafi i “Bienales” është njohur me përmbajtjen e tyre. Për të organizimet kulturore janë vlerë e Prizrenit.

Other Articles
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)