Identiteti Vizual dhe Brendimi i Qytetit të Prizrenit

Më 7 e 8 dhjetor 2017 në ndërtesën e Kuvendit të vjetër- Beledijes në Prizren është mbajtur punëtoria dyditore “Brendimi i qytetit të Prizrenit”. Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi i koncepteve të brendimit të qyteteve, diskutimi gjithëpërfshirës mbi elementet e brendimit të qytetit të Prizrenit dhe hartimi i planit të veprimit të fushës së brendimit për Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit. Kjo punëtori është organizuar nga Autostrada Biennale dhe Rrjeti i Organizatave të Kulturës (RrOK Pz) në Prizren, të financuar nëpërmjet CHwB Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky kapitull është produkt i reflektimit nga punëtoria e mbajtur në Prizren e cila mblodhi pjesëmarrës të shumtë për të diskutuar për mundësinë dhe nevojën e brendimit të Prizrenit, rëndësinë e tij dhe mënyrën se nëse ndodh, si do të duhej të zhvillohej një proces i tillë. Në ditën e parë u prezantuan programi dhe konceptet bazë të brendimit.

Leutrim Fishekqiu nga Autrostrada Biennale dhe Enes Toska nga RrOK Prizren bënë prezantimin e gjithë qëllimit të projektit dhe shpalosën nevojën për brendimin e Prizrenit si zonë historike, por edhe si hapësirë e shënjuar kulturore e trashëgimisë kulturore dhe si material me vlerë, edhe historike, edhe bashkëkohore. Për ta shpalosur më tutje konceptin e brendimit, Eliza Hoxha prezantoi aspekte të brendit si produkt dhe si proces në nivele dhe kontekste të ndryshme. Cili është dallimi bazë midis Brendimit dhe Marketingut dhe ku duhet të bëjmë kujdes, duke qenë se brendi duhet të jetë i besueshëm dhe i vërtetë, gjithnjë duke aspiruar zhvillimin dhe reprezentimin e denjë. Në këtë proces u diskutuan nivele të ndryshme të brendimit: brendimi i vendit, i qytetit, i kombit, i regjioneve dhe i hapësirave publike. Më pas, fokusi kryesor ishte në faktorët që ndikojnë në brendim – si faktorët e fortë që lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet dhe faktorët e butë, me pjesën emocionale dhe ndjenjën e përkatësisë dhe identifikimit me vendin. Ndërmjet tyre, faktor i rëndësishëm është menaxhimi i resurseve që e krijojnë brendin dhe e rrisin reprezentimin dhe identifikimin me vendin. Me këtë rast, Nora Arapi shpalosi vlerat e zonës historike të qytetit të Prizrenit mbi të cilat është ndërtuar vizioni dhe objektivat për zhvillimin dhe menaxhimin e kësaj zone.

Pjesa e punës në grupe kishte për qëllim që nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës të shpalosen ide dhe mendime për elementet kryesore materiale dhe jomateriale që e shquajnë Prizrenin me rrethinë. Fokus grupi që punoi në elementet jomateriale është udhëhequr nga Jeton Jagxhiu, përderisa fokus grupi që punoi në elementet materiale është udhëhequr nga Yll Rugova. Dita e dytë nisi me prezantimin e Tahar Almedarit, me një simulim të tij se si do të mund të brendohej Prizreni duke u nisur nga fjala kyçe e cila mund ta identifikojë atë edhe në dhomat virtuale #prizrening dhe tutje tek elementet e brendshme dhe të jashtme të tij. Në këtë pjesë, ajo çfarë u diskutua në ditën e parë, veçse u pa si e formësuar në një produkt të mundshëm brendimi. Më pas, Berin Hasi hyri në detaje rreth elementeve përfaqësuese përmes dizajnit dhe përdorimi i tyre në dokumente, stema dhe elemente të tjera të qytetit. Rrumbullakimi i tërë diskutimit u bë me një lidhje skype me ekspertin ndërkombëtar, Rand Eppich, i cili me qëndrimet e tij mbi Prizrenin, kundruall rasteve të qyteteve të tjera, iu dha theks shumë gjërave që tashmë ishin diskutuar në ditën e parë dhe ditën e dytë të punëtorisë. Ishte e mahnitshme që paralelet e tij lidheshin me shumë nga qëndrimet që ishin diskutuar edhe në grupin lokal.

Other Articles
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)