Punëtoria në ndërtimin e arkivit të fotografisë nga Nafis Lokvica dhe Intervista

Edicioni i parë i Autostradës Biennale me temën “E ardhmja e kufijve”, për arsye të mungesës së galerive në qytetin e Prizrenit, u mbajt në vende të ndryshme, duke i shndërruar ato në galeri. Në këtë mënyrë u hap edhe diskutimi për problemin e mungesës së galerive në qytet dhe si zgjidhje u mor që çdo pikë potenciale e qytetit të shndërrohej në një hapësirë ekspozuese. Disa nga hapësirat e përdorura për ekspozitë ishin ndërtesat historike, muzetë, vendet publike, kurse pjesa tjetër e hapësirave përbëhej nga shtëpitë private të banuara. Disa nga karakteristikat më të veçanta të këtyre shtëpive janë: rezistimi ndër shekuj, nostalgjia dhe përjetimet e ndryshme, si dhe trashëgimia kulturore e qytetit të Prizrenit. Persona të njohur për mikpritje, të cilët nuk kishin të bënin fare me Biennalen, i hapën dyert e tyre për ekspozitë dhe në këtë mënyrë u takua arti modern me jetën e përditshme. Këto dy koncepte të ndryshme, që duket të jenë shumë të largëta nga njëra-tjetra, u integruan nën temën “E ardhmja e kufijve”. Një rast i tillë i njeriut, që e do artin dhe që ka jetuar një jetë me të, është Nafis Lokivca, i cili shtëpinë e tij e shndërroi në njërën prej pikave kyçe dhe referuese për vizitorët e Autostradës Biennale. Shtëpia e Nafis Lokvicës dallon nga shtëpitë të tjera private të shndërruara në galeri në kuadër të Bienales.

Ajo çfarë e bën të veçantë shtëpinë e Lokvicës është ndërtimi i saj në periudhën e Perandorisë Osmane. Likovica që nga rinia është marrë me fotografi dhe video dhe lokacioni i arkivit të tij ndodhet në shtëpinë ku edhe ishte ekspozita. Në fazën e parë u realizua pastrimi dhe rregullimi i dhomave të shtëpisë, që do të hynin në funksion, pastaj u hulumtua historia e shtëpisë dhe e qytetit, si dhe u kontrolluan pikat e përbashkëta për integrimin e artit dhe hapësirës. Në dy dhoma të mëdha, në katin e fundit të shtëpisë dykatëshe, u vendosën foto të themelimit të zonës industriale dhe foto të një regjioni të mbetur nën ujë në Taiwan. Kjo ide ka lindur paralelisht me ngjarjen e vërshimeve të mëdha të vitit 1979 në Prizren, ku edhe shtëpia e Lokvicës ishte prekur nga këto vërshime. Në katin e sipërm të shtëpisë, në dhomën e tretë, pasqyrohej një video me projektor, qëllimi i së cilës ishte tërheqja e vëmendjes për problemin e pronave tokësore në Kinë. Çështja e tërheqjes së vëmendjes për problemin e pronave tokësore është paralele me shpërndarjen e shtëpive dhe tokave të vjetra në qytetin e Prizrenit tek shumë njerëz dhe familje. Qëllimi i artistit për të prezantuar një ide të re e ka shtyrë që puna e tij të dalë jashtë kufijve të vet, duke i përdorur hapësirat dhe strukturën integruese të artit bashkëkohor në këtë drejtim. Hyrja e shtëpisë u nda tërësisht për arkivin e fotografive dhe të videove të Lokvicës. Fotografitë e zgjedhura nga kuratori u vendosën brenda dhomës, ndërsa objektet dhe kasetat, të cilat me vite të tëra i ka koleksionuar Lokvica, u vendosën përreth dhomës. Synimi ishte që vizitorët të përjetonin përvoja të ndryshme, duke i sjellë së bashku përjetimet e shtëpisë, përjetimet e Lokvicës dhe përjetimet e veprave të artit të përmbledhura në identitetin e shtëpisë.

Other Articles
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)