Hibridet, 2023

Artist: DARDAN ZHEGROVA

Vendi: Hangar 2

Skulpturat me përmasa të mëdha të Dardan Zhegrovës burojnë nga fëmijëria e artistit—periudha pasi kishte rënë Jugosllavia dhe Kosova gjendej në zgrip të luftës. Regjimi serb kishte dëbuar të gjithë shqiptarët e Kosovës nga vendet shtetërore të punës dhe në mënyrë që të siguronte jetesën, nëna e Zhegrovës kishte filluar të punonte si rrobaqepëse. Të qenët i rrethuar nga tekstilet dhe të frekuentuarit e Teatrit të Kukullave “Dodona” përbëjnë themelin historik të veprës amorfe të Zhegrovës. Teatri i Kukullave “Dodona” ka qenë institucion i rëndësishëm për shqiptarët e Kosovës në fund të viteve të 80-ta dhe në fillim të viteve të 90-ta; ajo shërbente si hapësirë e sigurt edhe për performancën artistike, edhe për grumbullimet aktiviste kundër regjimit. Të informuara nga mbijetesa kulturore, Hibridet udhërrëfejnë shikuesit dhe artistin ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes dhe drejt realiteteve të reja kohore e kulturore. Në botën e krijuar nga Zhegrova që i ngjan një teatri kukullash, artisti përthërret interesin e tij të hershëm për teatrin, lojën me role dhe mundësinë e kalimit në personazhe të ndryshme. Këto qenie komunikojnë përvoja relacionale të së kaluarës, herë duke e udhëhequr, herë duke e ndihmuar e herë duke e kontrolluar shikuesin. Kukullat në trajtë fantazmazh duan ta shkapërcejnë kohën—si dhe kufijtë e fiksuar të vetvetes dhe të të tjerëve—duke i theksuar format e thjeshta të të rrëfyerit dhe duke i qendërzuar kujtimet e hidhërimit, dashurisë dhe lojës. Kësisoj hibridet na grishin për teatër tradicional hijesh, duke i lënë hapësirë dramës e imagjinatës si vegla të fuqishme në procesin e vetëndërtimit.

Dardan Zhegrova (1991) ka lindur në Prishtinë dhe jeton e punon në Prishtinë.

Teksti nga Hampus Bergander

Foto nga Tuğhan Anıt

Ekspozita të tjera
Buletini

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)