



Në vitin 2013, Núria Güell ka inskenuar një lojë kukafshehtas në limanin e Gothenburgut të Suedisë me një azilkërkuese nga Kosova, një ish-police me emrin Maria. Maria ishte në proces të aplikimit për të tretën herë për lejeqëndrim në Suedi. Një kontratë është lëshuar nga Bienalja e Gothenburgut në suedishte dhe në shqipe—në gjuhën amtare të Marisë dhe drejtorit artistik të bienales Edi Muka. Kontrata e punës me organizatën artistike është bërë në konsultim me aktivistët dhe ishte strukturalisht e dobishme për siguruar lejeqëndrimin e Marisë. Në lojën kukafshehtas, e cila është inskenuar gjatë ekspozitës, Maria ishte gjithmonë ajo që fshihej, ndërsa vizitorët gjithmonë ata që e kërkonin. Loja thuajse gjithherë përfundonte me një dialog të thellë për politikat e migracionit, azilin politik, integrimin dhe shpërnguljen, duke e shndërruar lojën në një vepër kuvenduese. Projekti, i organizuar brenda kornizës së edicionit të shtatë të Bienales së Gothenburgut, e cila është kuruar nga Joanna Warsza, është rivizituar në vitin 2021, në anën tjetër të rrugës, në vendin nga i cili Maria—emri i vërtetë i së cilës është Lumnije Gërguri Stojkaj—ka origjinën. Güell dhe Gërguri Stojkaj kanë kaluar një pushim të shkurtër në Prizren duke ecur, vizituar dhe biseduar gjatë edicionit të tretë të Autostrada Biennale. U ngritën disa pyetje: cila është marrëdhënia mes artistit dhe subjektit sot? Si është më së miri të shihen dhe të punohet me marrëdhënie të pabarabarta në projekte bashkëpunuese, sidomos mbi çështjet e migracionit? Cilat janë disa nga mënyrat etike të adresimit të asimetrive në art? Si e sheh Gërguri Stojkaj artin si pjesë e rrugëtimit të saj drejt Suedisë, ku tash punon si rojë burgu? Gjatë pushimit të tyre në Prizren, ato kanë folur për vendlindjen, dëbimin, etninë, luftën, identitetin kulturor dhe peizazhet e së kaluarës. Sot mbesin shumë nga këto pytje, ndërsa Güell dhe Gërguri Stojkaj shijojnë “vizitën e tyre të pushimeve”.
Núria Güell (1981) ka lindur në Vidreres dhe jeton e vepron në Barcelonë.
Teksti nga Joanna Warsza
Foto nga Tuğhan Anıt