

Në kuadër të ditëve të mbajtjes së Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale në partneritet me EC Ma Ndryshe kanë organizuar performancën publike për shfrytëzimin e sipërfaqes gjelbëruese dhe të lumit brenda shtratit të Lumbardhit. Kjo hapësirë, në kuadër të këtij aktiviteti, u shfrytëzua si vendtakim për vizitorët e Bienales, me këtë rast ata kishin mundësinë ta përjetojnë nga afër lumin dhe hapësirat e gjelbra natyrore. Kjo hapësirë për vizitorët shërbeu si vendtakim informues, përveç tjerash ishte edhe shitorja me produkte të Autostradës Biennale.
Gjatë gjithë Bienales, prizrenasit dhe vizitorë të tjerë e vizituan këtë pikëtakim, ku edhe patën rastin t’i mbathin sandalet e ashtuquajtura “nalle”, një nga karakteristikat e trashëgimisë kulturore të Prizrenit, të cilat u ridizajnuan në kuadër të brendit të Autostradës Biennale. Përmes këtij aktiviteti u synua që të sillet në vëmendje çështja e mungesës së hapësirave gjelbëruese dhe numri i madh i hapësirave të pashfrytëzuara publike në Prizren, me qëllim të nxitjes së autoriteteve përgjegjëse lokale e qendrore për ndërmarrjen e veprimeve të duhura në këtë drejtim. Në kuadër të performancës në kejin e Lumbardhit, më saktësisht te Gjashtë Krojet, u punuan shkallët që mundësuan zbritjen në lumë dhe shtigjet lidhëse për lëvizje nëpër hapësirat gjelbëruese brenda shtratit të lumit. Në një analizë të bërë nga EC-i del se në hapësirat publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit vetëm 3 % te tyre janë të gjelbëruara.
Kjo përqindje është shumë e ulët në raport me standardet botërore të qendrave të qyteteve. Gjithashtu, nga matjet e bëra del që rreth 45 % e hapësirave publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit janë të pashfrytëzuara apo të pa qasshme për publik.