Kalaja e Prizrenit shpërfaq një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit. Pozita e saj topografike, dominuese mbi qytet, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar bukur mirë, e bën këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike. Është e ngritur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër në formë konike. Muret e fortifikuara ndjekin izohipsat e terrenit në trajtë përafërsisht vezake, me zgjatje në drejtimin veri-jug. Shënimi më i vjetër që dihet është ai i kronistit bizantin, Prokopi i Cezares, në veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet). Në këtë vepër, në mesin e fortifikimeve të meremetuara në Dardani, për herë të parë evidentohet edhe kjo kala, me emrin Petrizen, emër që i përket qytetit të sotëm.
Një studim më voluminoz është bërë në vitin 1969, me këtë rast, krahas gërmimeve arkeologjike është bërë edhe incizimi arkitektonik i kalasë. Gërmimet arkeologjike në vitet 1969 dhe 2004 rezultuan me zbulimin e infrastrukturës, e cila prezantohet me muret (bedenat) e përforcuara me kulla, kazamatet, labirintet, depot si dhe një varg objektesh në brendinë e saj. Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike në vitet 2004 dhe 2009 – 2011 nxori në pah një vendbanim parahistorik nga epoka e bronzit dhe periudha e hershme e hekurit, i cili ka shërbyer si bërthamë e parë e jetës në këtë vend. Në aspektin ndërtimor kalaja ndahet në tri komplekse të veçanta: qyteti i epërm, qyteti i poshtëm dhe qyteti jugor, ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: periudha antike, periudha e sundimit bizantin, periudha e zotërimit Nemanjid dhe periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Kalaja e Prizrenit funksionin primar e kreu deri në vitin 1912. Prej asaj kohe objekti u la pas dore, me çka filloi procesi i degradimit të tij. Nga viti 2013 në kala fillojnë përsëri punët restauruese-konservuese, të cilat vazhdojnë edhe sot.