Shiko tani
Autostrada Hangar është rezultat i vizionit, rrugëtimit dhe përkushtimit tonë për ta bërë artin bashkëkohor të hapur për të gjithë. E themeluar në vitin 2014 nga Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, Autostrada Biennale lindi nga dëshira për të krijuar një vend ku arti mund të bashkëjetojë me përditshmërinë dhe të rezonojë me njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Në vitin 2017 çelëm edicionin e parë të Bienales në Prizren—një qytet pa hapësira ekspozuese dhe me kontakt të kufizuar me artin bashkëkohor. Ajo që filloi si një ide e guximshme, u bë shpejt pjesë thelbësore e peizazhit kulturor të rajonit, duke ofruar një platformë ku artistët ndërkombëtarë do të mund të lidheshin me komunitetin lokal dhe duke e bërë artin diçka që u përkiste të gjithëve.
Me rritjen e Bienales, kuptuam nevojën për një hapësirë të përhershme për të krijuar, për të bashkëpunuar dhe për t’u angazhuar gjatë gjithë vitit. Në vitet 2020–2021 e morëm një hangar të dikurshëm ushtarak të KFOR-it gjerman dhe e shndërruam në Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor—një hapësirë për ekspozita, punëtori, performanca dhe programe publike që bëjnë komunitetin bashkë.
Qëndrueshmëria ka qenë gjithmonë në thelb të misionit tonë. Gjysma e materialeve të përdorura për ndërtimin e të dy Hangarëve janë ripërdorur nga edicionet e kaluara të Bienales, gjë që përfaqëson përkushtimin tonë për ndërgjegje ekologjike dhe për novatorizëm. Hapësira është dizajnuar për të qenë fleksibile, me elementë të lëvizshëm që i përshtaten çdo ngjarjeje dhe programi.
E vendosur brenda Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), Autostrada Hangar është një qendër e vërtetë krijimi, me pajisje moderne për prodhim me dru, metal dhe tekstil. Është një hapësirë ku bashkëpunimi dhe kreativiteti lulëzojnë—duke u ofruar artistëve mjetet për të sjellë veprat e tyre në jetë dhe për t’i ndarë ato me botën.
Në vitin 2024 u zgjeruam më tej përmes hapjes e Hangarit të dytë, që ofron hapësirë shtesë prodhimi, një teatër të hapur dhe rezidenca për artistë. Ky zgjerim ka thelluar përkushtimin tonë ndaj artistëve dhe ka rritur mundësitë për publikun që të angazhohet me procesin krijues.
Gjatë Bienales, Autostrada Hangar shërben si qendra kryesore e programeve publike, duke ftuar vizitorët të angazhohen drejtpërdrejt me artin përmes tureve të udhëhequra, performancave dhe punëtorive. Këto programe inkurajojnë lidhjen, reflektimin dhe përjetimin e artit në mënyra të reja.
Teksa festojmë 10-vjetorin e Autostrada Biennale, ju ftojmë të eksploroni këtë ekspozitë retrospektive që pasqyron udhëtimin tonë dhe fuqinë transformuese të artit në jetët dhe komunitetet tona.
Autostrada Hangar nuk është vetëm një hapësirë ekspozuese—është një vend për t’u prehur, për t’u lidhur dhe për të reflektuar. Qoftë duke shijuar një vakt në kuzhinën tonë vegjetariane, duke pirë kafe në kafenenë tonë, duke eksploruar krijimet lokale në dyqanin tonë, apo duke u zhytur në letërsinë e artit bashkëkohor në bibliotekën tonë, ne ofrojmë një hapësirë mikpritëse pa dallime. E hapur për të gjithë, ai është vendi ku arti dhe njerëzit bashkohen për të ndezur biseda domethënëse dhe për të vazhduar rrugëtimin.