Lëvizja drejt një autostrade të re artistike 

Konferenca ndërkombëtare “E kaluara bashkëkohore. E ardhmja historike’’, e mbajtur më 23 e 24 korrik në Prizren, mblodhi artistë, pedagogë, kuratorë dhe partnerë potencialë për të reflektuar mbi rëndësinë e bienales së artit bashkëkohor në rajon dhe më gjerë. Në hamamin e ndërtuar në shekullin XVI, panelistët e ftuar, në katër seanca, debatuan mbi misionin e filluar për konsolidimin e partneriteteve mes institucioneve publike dhe private të artit, artistëve dhe grupeve joformale, nëpërmjet rrjetëzimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe ideve - me qëllim të përbashkët, nxitjen e krijimit të mundësive të reja për zgjerimin dhe ringjalljen e komunitetit artistik. Nëpërmjet frymës së bashkëpunimit dhe shkëmbimeve kulturore, u tha se Autostrada Biennale vjen si një magjistrale inovative e Bienales së Stambollit, të Venedikut dhe Bienales së Prizrenit. Ajo ndjehet e provokuar të veprojë, të vë në pikëpyetje vështërsitë e botës bashkëkohore, duke i nxjerrë në pah kushtet sociale, ekonomike, politike dhe estetike; lokale, rajonale e më gjerë. Konferenca ka qenë e veçantë, sidomos për kontekstin kosovar – për faktin se është organizuar një vit përpara edicionit të parë të bienales (ende pa u përzgjedhur kuratori dhe koncepti / tema), por edhe për marrjen përsipër të rolit të saj brenda sloganit të vetë Autostradës Biennale, duke e shfrytëzuar pozicionin e vet gjeografik, udhëkryqi në mes Lindjes dhe Perëndimit.

Pastaj, duke mos e neglizhuar historinë dhe periudhën e zvarritjeve të shumë proceseve në shumë aspekte, që nga paslufta - si dhe duke qenë e vetëdijshme që po krijohet në një shtet të ri, të vogël, me ekonomi të brishtë dhe me një sistem të dobët edukimi dhe me pengesa të lëvizjes. Bienalja është hapur për këmbime kulturore dhe intelektuale, për ringjallje të komunitetit artistik lokal e rajonal, aktivizim të qytetit dhe qytetarëve të saj. Kështu, Autostrada Biennale shfrytëzon dinamikën e sotme të vendit, vitalitetin e rinisë, njohuritë lokale, si dhe marrëdhëniet në rajon e më gjerë, për t’u vetorganizuar dhe vetë pozicionuar në hartën kulturore globale. Prandaj, konferenca ndërkombëtare ka bërë bashkë, artistë, kuratorë, galeristë, udhëheqës institucionesh kulturore, në një diskutim me qëllimin që të adresojë çështje kulturore nëpërmjet perspektivave të ndryshme. Në panelin e parë të titulluar “Arti dhe territoret krijuese të padefinuara”, moderuar nga Stefano Romano, u adresuan marrëdhëniet e artit dhe të lëvizjeve botërore. Panelistë ishin: Iara Boubnova (kuratore / Bullgari), Sezgin Boynik (teoricien / Finlandë), Sislej Xhafa (artist / SHBA), Yehuda Safran (kritik arti / SHBA) dhe Miran Mohar (artist / Slloveni).

Other Articles
Newsletter

Subscribe to our newsletter to receive news, cool free stuff updates and new released products (no spam!)